Kastrioti nis merkaton, tre objektiva në Kosovë

Krutanët synojnë që të ndërtojnë një ekip edhe më të fortë në pjesën e dytë të garës. Trajneri Nikaj projekton tre futbollistë cilësorë në Kosovë…

Bujar Balliu

Më në fund edhe krutanët janë thyer, pikërisht në fushën e një rivali si Egnatia e Rrogozhinës. Një humbje minimale, që ishte edhe e para për këtë sezon, ka bërë që lufta për kreun në Grupin A të bëhet më e bukur dhe e fortë. Gjithsesi edhe pse pësoi humbjen e parë në kampionat, Kastrioti vazhdon të jetë kryesues i grupit me 5 pikë më shumë se Egnatia. Javën e fundit, krutanët luajnë në fushën e tyre me Vllazninë B. Dje kanë nisur përgatitjet dhe synimi është marrja e 3 pikëve, për të mbajtur distancë nga rivalët që i ndjekin.

MERKATO – Pjesa e dytë e garës pritet që të jetë akoma më e fortë. Krutanët kanë disa rivalë qe e duan Superioren dhe duke pasur parasysh edhe formulën e Kategorisë së Parë, ku pikët përgjysmohen, drejtuesit kanë menduar që të “blindojnë” skuadrën dhe të jenë shumë më të fortë në pjesën e dytë të sezonit. Kujtojmë, që te krutanët u përfol që në verën e shkuar për tre përforcime nga Kosova. Por në fakt nuk u bë asnjë afrim dhe skuadra u përqendrua më shumë te tregu vendas. Tashmë kjo pistë është rikthyer dhe duket se tekniku Nikaj e ka marrë mjaft seriozisht afrimin e tre kosovarëve në skuadër.

I pari është Adenis Shala, i cili është një talent që sapo ka mbushur 19 vjeç dhe aktualisht është pjesë e skuadrës së Vëllaznimit, skuadër që luan në Superligën e Kosovës.  Një tjetër futbollist që kërkohet nga tekniku është edhe lojtari Almir Ajzeraj i Flamurtarit, gjithashtu lojtar i përfaqësueses U-21 të  Kosovës.Por, krahas dy emrave të sipërpërmendur është edhe një i tretë dhe bëhet fjalë për Shqipdon Ademi, i cili në sezonin e shkuar ishte një ndër sulmuesit më të mirë tek skuadra e KEK-ut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *