Kukësi i këtij sezoni ka bërë më mirë se sezonet e shkuara në transfertë, por rendimenti ka rënë ndjeshëm në “Zeqir Ymeri”
Ky edicion i Superiores ka rënë në sy për ndeshjet e fituara në transfertë, por Kukësi i ka befasuar të gjithë. Deri në edicionin e shkuar në Kukës skuadrat që kishin fituar numëroheshin me gishtat e njërës dorë, me Skënderbeun, Partizanin, Tiranën dhe Vllazninë që kishin arritur të merrnin pikë të plota nga “Zeqir Ymeri”. Nga më shumë se 18 muaj pa humbje në shtëpi, por më pas tre disfata brenda pak javësh. Kampionët nuk e kanë shtëpinë e tyre pikët më të fortë këtë sezon. Kjo ndoshta dhe prej terrenit të konsumuar që tashmë mund të jetë një problem për lojtarët, të cilët shohin dhe anën e tyre shëndetësore. Statistikat flasin se këtë edicion Kukësi në transferta ka bërë mjaft mirë, madje ka koleksionuar më shumë pikë sesa në ndeshjet në Kukës.
Në shtëpinë e tyre verilindorët në 7 ndeshje të zhvilluara kanë fituar vetëm 3 prej tyre dhe kanë barazuar në një, si dhe janë mundur në 3 përballje. Vetëm 10 pikë nga 25 pikë gjithsej, janë shumë pak për një skuadër që ka synime madhore për titull kampion. Plot 15 pikë ka marrë Kukësi në ndeshjet e zhvilluara jashtë shtëpisë. Jo vetëm kaq, por është mundur vetëm në një takim, pikërisht në përballjen me kryesuesit e Skënderbeut. Fitore me Lushnjen, Luftëtarin, Laçin dhe së fundmi me Teutën, ndërsa ka barazuar me Partizanin, Flamurtarin dhe Kamzën. Nëse Kukësi do të kishte bërë më mirë në shtëpi me siguri do të ishte një nga kandidatët potencial për titull, pasi jo më kot thuhet që të fitosh titullin duhet të fitosh në transfertë. Kukësi duhet ta dijë se fitoret në shtëpi në të tilla raste konsiderohen më shumë se detyrim.