Sulmuesi i Mançester Junajtidit flet për punën e tij me Guardiolën në të kaluarën, si dhe shpjegon arsyet pse nuk e pëlqen teknikun spanjoll
“Lufta” mediatike mes lojtarëve dhe trajnerëve të dy ekipeve të Mançesterit po vazhdon me një zhurmë shumë të madhe. Kësaj radhe, është sulmuesi suedez i Mançester Junajtidit ai që ka lëshuar deklaratën e radhës, duke akuzuar drejtpërdrejt ish-trajnerin e tij tek Barcelona, Pep Guardiolën. Shtatlarti i sulmit të Mançester Junajtidit ka thënë se Guardiola është një njëri i papjekur dhe i papërgjegjshëm. “Arsyeja pse u largova nga Barcelona është Pep Guardiola. Kur unë hyja në një dhomë, ai dilte. Kur unë flisja, ai nuk më dëgjonte. Ishte e qartë se ai nuk më respektonte. Problemi ka qenë i tij dhe jo i imi. Të njëjtën situatë kanë kaluar dhe Mandzukiç dhe Samuel Eto. Guardiola nuk di t’i respektojë lojtarët e tij. Ai është një person i papjekur!”- tha Ibrahimoviç për mediat britanike. Ibra dhe Guardiola kanë punuar së bashku tek Barcelona vetëm për një sezon. Sulmuesi suedez më pas u largua, duke i thënë publikisht me ironi Guardiolës: “Nuk blen një Ferrari që ta ngasësh si një Ford!”