Kastrioti kërkon përforcime, pazar edhe te Tirana

Merkatoja e janarit nuk do të shohë lëvizje të mëdha vetëm në Superiore, por edhe në Kategorinë e Parë, aty ku disa klube synojnë elitën dhe disa duan përforcime për mbijetesën.

Një ndër klubet më të organizuar dhe të shëndetshëm financiarisht, Kastrioti, kërkon përforcime në mesfushë e sulm dhe pret 2-3 lojtarë në janar, emra të njohur të Superiores.

Një ndër emrat e piketuar nga Kastrioti është edhe Bedri Greca, mesfushori i cili u shpall kampion sezonin e shkuar te Kukësi dhe këtë sezon po aktivizohet te Tirana. Lojtar me aftësi të shkëlqyera sulmuese, Greca ka luajtur vetëm 4 ndeshje kampionati nga minuta e parë te Tirana dhe nëse nuk është pjesë e formacionit, do të kërkojë hapësirë gjetkë.

Kastrioti e pret krahëhapur dhe është i gatshëm të përballojë edhe kërkesat e tij financiare.

Prej kohësh te Kastrioti po stërvitet edhe Vilfor Hysa, sulmuesi i njohur i cili kërkoi një aventurë jashtë Shqipërie këtë sezon, por për problem burokratike nuk ia doli dhe mund të kthehet në Krujë, ku ka luajtur edhe më parë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *