Sa larg duket periudha maj-qershor për Milanin… Atëherë kur trumbetat, deklaratat, premtimet, por sidomos edhe entuziazmi ishte me “doza” të mëdha, thuajse i hiperbolizuar nga një eufori që buronte nga kalimi i klubit në duart e Jonghong Li, duke hamendësuar dhe besuar se pas tij qëndronte qeveria kineze.
Asgjë e vërtetë, të paktën deri tani, ndërsa me kalimin e kohës dhe pasi u shpenzuan thuajse 250 mln euro në merkato duke afruar plot 11 futbollistë, entuziazmi nisi të binte duke parë rezultatet. Sepse, ndërsa “San Siro” e nisi me 65 mijë spektatorë për sfidën Milan-Shkëndija, tashmë në stadium mesatarja ka shkuar në vetëm 35 mijë… Shumë pak, për një impiant prej 80 mijë vetësh. Pritej që skuadra kuqezi, me blerjet e realizuara dhe investimin madhor të luftonte të paktën për vendin e katërt, por jo vetëm që nuk lufton për Champions, por ndodhet madje edhe larg Europa League, ku është objektivi i vetëm i arritshëm, edhe pse duhet nënvizuar se kaloi grupin në Europa League, si vendi i parë. Por, kjo nuk mjafton…
Nuk mjafton, sigurisht duke ditur se tashmë klubi ka përfunduar në një vorbull e cila nuk ka fund dhe ku e ardhmja ka shumë mjergull. Në fakt, refuzimi që do të vijë së shpejti nga UEFA sa i përket “Voluntary Agreement” (hera e parë që një klub e kërkon, duke qenë se vetëm këtë vit është futur si mundësi) bën që klubi të detyrohet të pajtohet me “Settlement Agreement”, pra që do të presë në pranverë për vendimin: kufizim merkato, bilanci që duhet ulur deri në -30 milionë euro vjetore, por edhe barazimi i tij deri në vitin 2019… Nëse kjo gjë nuk arrihet, ateherë rrezikohet edhe përjashtimi. Por, nëse nuk do të ketë një tjetër plan, çfarë pritet të ndodhë vitin e ardhshëm me kuqezinjtë?
Sipas asaj që shkruan “Repubblica”, në fakt, mund të nisë një “shkurtim” ose “gërshërë” në lidhje me disa futbollistë, rroga e të cilëve peshon te xhepat e klubit dhe bilancin, që prej janarit 2018… E vështirë për t’u besuar që të ndodhë kaq shpejt, por jo e pamundur.
Ndërsa në verë priten që të larguarit të jenë spanjolli Suso (për të cilin ka lëvizur Totenhami me 50 milionë euro) dhe portieri Xhixho Donaruma (ka klauzolë në rast se nuk arrihet vendi Champions, thuajse 75 mln euro), mund të ketë edhe një ikje big, si Leonardo Bonuçi, rroga e të cilit peshon jashtë mase të bilanci vjetor. Por, në merkaton dimërore, dy futbollistë u afruan me bujë të madhe janë gati që të largohen.
E ndërsa njëri ka shumë merkato, për tjetrin është edhe më e vështirë. Në fakt, po flasim për Andre Silvën dhe Hakan Çalhanoglu. E ndërsa për portugezin ka lëvizur edhe Barcelona, përveç Arsenalit të Vengerit, për të dytin mund të ketë një rikthim në Gjermani, edhe pse shpenzimi prej 20 milionë eurosh plus edhe 4 mln bonus nuk do të arrihej, me formën e treguar nga turku, që ka avantazh moshën (vetëm 24-vjeç).