Rikthehet Dinamo e basketbollit

Presidenti Trebicka: Ne synojmë që të jemi në elitën e koshit shqiptar duke luajtur me lojtarët tanë, pa pasur nevojën e importimit nga jashtë

Gjergj Vyshka

Dinamo e basketbollit është përsëri e gjallë dhe në jetë, ndërsa dje në ambientet e hotel “Tirana-International” është zyrtarizuar rikrijimi i shoqatës së basketbollit me të njëjtin emra. Shumë emra prezent që nga Muhamet Përmeti, Spiro Shano, Ilir Trebicka, Eduard Çarçani, Olsi Rama, Artan Terihati, Alfred Rushaj, Astrit Hutka, Bashkim Milo, Arjan Konomi, Erdal Borova, Afrim Bilali, Elton Saliaga, Erkand Karaj, Ledina Koçi e shumë e shumë të tjerë. Pa harruar këtu prezencën e presidentit të Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, sekretarit të përgjithshëm Korab Llazani, zëvendësministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë Kostandin Shkurti, presidenti i shoqatës së Tiranës basketboll Vaso Shaka. Parë kështu, rikrijimi i Dinamos merr të tjera përmasa, sepse, pa një, pa dy, është emblemë për basketbollin shqiptar, ndërsa ishte harruar si emër që nga sezoni i fundit 2006-2007 kur ka marrë pjesë për herë të fundit në kampionatin e të rriturve. Ndaj është mirëpritur rikrijimi i shoqatës së Dinamos në basketboll.

Çarçani – Drejtori ekzekutiv i shoqatës së basketbollit Dinamo, Eduard Çarçani, ka bërë një hyrje të përgjithshme të asaj që është si ide në krijimin e kësaj shoqate. Sipas Çarçanit mund të ketë shumë pyetje pse u kujtuat tani për këtë shoqatë, apo pse nuk është bërë më përpara. “Por – thotë Çarçani – ne kërkojmë të zbatojmë atë që kemi diskutuar mes nesh, ndërsa kërkojmë të sjellim diçka të re në basketbollin shqiptar. E rëndësishme është që Dinamo është një emër historik me shumë figura, të cilat tani u bënë bashkë dhe po sjellin këtë produkt që shumë shpejt do të sjelli gjëra të reja në basketboll. Ne do të jemi bashkëpunues me Federatën Shqiptare të Basketbollit, por në të njëjtën kohë do të jemi një opozitë e fortë për gjërat që nuk shkojnë, sepse duhet që basketbolli të ketë një frymë të re, të cilën shpresojmë ta sjellim nga kjo shoqatë e Dinamos”

Trebicka – Presidenti i shoqatës së basketbollit Dinamo, Ilir Trebicka, ka shpjeguar për të gjithë të pranishmit se kjo shoqatë është ndërthurja e dy gjeneratave, asaj nga viti 1965 deri në 80-80 dhe nga 80-2000. “Kjo shoqatë e ardhur nga këto dy gjenerata shpreh gjithë dëshirën për të pasur një Dinamo të madhe në basketbollin shqiptar. Zyrtarisht ne jemi regjistruar në gjykatë më 8 nëntor 2017 dhe është shoqatë jo fitimprurëse, por me dëshirën për të rritur brezin e ri me basketbollin. Tashmë kjo shoqatë ka adresën e saj të facebookut dhe internetit, ndërsa është e hapur për të gjithë ata që duan të kontribuojnë për Dinamon. Më duhet të falënderoj Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, sepse këtu lindi dhe projekti i parë i palestrave të shkollave në ndihmë të komunitetit. Po kështu Federatën Shqiptare të Basketbollit, Ministrinë e Brëndëshme për gjithçka që ka bërë për Dinamon, por dhe Bashkinë e Tiranës. Tek ne çdo gjë nis nga e para dhe shumë shpejt me programe afat-mesme dhe afatgjata do të jemi në elitën e basketbollit shqiptar. Ne do të synojmë që të kthejmë atë Dinamo të madhe, e cila do të mund të mbushë Pallatet e Sportit ndaj dhe jemi këtu”. Trebicka mbi të gjitha ka treguar se janë edhe skuadër me “muskuj”. “Ne nuk kemi ardhur për të fituar, por për të dhënë për Dinamon. Kështu që edhe pa muskuj nuk jemi. Kemi krijuar skuadrat tona U-10, U-12 dhe U-14, ndërsa pretendojmë që vitin e ardhshëm të jemi në aktivitetet zyrtare të Federatës Shqiptare të Basketbollit duke e nisur me meshkuj e femra nga kategoria e dytë. Gjithsesi tashmë e rëndësishme është që Dinamo u kthye, ndërsa pretendojmë të luajmë me lojtarët tanë pa pasur nevojë për të marrë të huaj”.

Shano – Një përshëndetje ka ardhur dhe nga Spiro Shano, sepse për të ishte shumë e rëndësishme rikthimi i Dinamos. “Kjo ishte dhe ideja e mbledhjes dhe krijimi i Dinamos, sepse i duhet basketbollit shqiptar”. Në mënyrë simbolike janë shpërndarë fanella të shoqatë së basketbollit Dinamo, kurse më pas për të gjithë të pranishmit është shtruar dhe një koktej.  

Kryesia e shoqatës së basketbollit Dinamo

 

  • Ilir Trebicka (President)
  • Spiro Shano
  • Ilir Gavoçi
  • Olsi Rama
  • Alfred Rushaj

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *