Hoxhaj: Menduam se fituam, uroj që Luftëtari të shpëtojë

Sulmuesi vlonjat përsërit refrenin e stafit teknik dhe të shokëve të skuadrës. “Luftëtari na ka goditur kur menduam se fitorja ishte siguruar”

Elton Nika

Flamurtari ka marrë një tjetër barazim në ndeshjen e radhës në kampionat dhe me rezultatin 1-1 të arritur ndaj Luftëtarit vlonjatët mbeten në kuotë të njëjtë pikësh me skuadrën e Kukësit, që ndodhet në vendin e tretë falë golaverazhit më të mirë. Për kuqezinjtë ishte barazimi i dytë radhazi, pas atij ndaj Teutës në Vlorë, ndërkohë që  të gjithë janë të bindur se Flamurtari ka lënë dy pikë të çmuara në ndeshjen e luajtur në Gjirokastër. Sulmuesi Ardit Hoxhaj ka vlerësuar paraqitjen e skuadrës dhe sipas tij skuadra ka humbur dy pikë, në një ndeshje gjithsesi mjaft të çuditshme, ku në momente të veçanta edhe kundërshtari ka zhvilluar një paraqitje të mirë. “Mund të them se kemi lënë dy pikë ndaj Luftëtarit, në një ndeshje ku duhej ta kishim siguruar fitoren. Dua të vlerësoj Luftëtarin dhe e shoh një skuadër me cilësi në gjirin e vet, ndaj e them me bindje se për lojën dhe kualitetin që ka në gjirin e vet, nuk e meriton pozicionin aktual në renditje.  Mbi të gjitha do të thosha se nuk e dëshiroj që Luftëtari të jetë një skuadër që rrezikon daljen nga kategoria”, tha fillimisht Hoxhaj, që me tej analizoi takimin e bërë në Gjirokastër. “Kemi zhvilluar një ndeshje të mirë. Ishim në avantazh dhe i kemi pasur mundësitë tona që ta mbyllnim plotësisht ndeshjen, por ky është futbolli dhe në një takim të tillë duhen pranuar të gjitha. Në pjesën e dytë kemi pasur disa raste, ku mund të shënonim golin e dytë dhe sot do të flisnim për një fitore ndaj Luftëtarit. Patëm shanset tona me Danilon, Bushiç apo Useinin, por goli nuk erdhi. Ndërkohë që Luftëtari nuk ka pasur ndonjë mundësi shumë të madhe, por na ka goditur në një moment, kur ndoshta kemi menduar se fitorja ishte siguruar. Mendoj se fitorja na takonte në këtë përballje, që nuk ishte aspak e lehtë”, u shpreh sulmuesi, që u rikthye këtë verë dhe veshi fanellën e skuadrës së qytetit të tij.

SHTYRJA E NDESHJES
Ndeshja me Luftëtarin ishte parashikuar të luhej të shtunën, por u shty për të hënën për shkak të gjendjes së stadiumit në Gjirokastër. Pavarësisht se bluzinjtë patën mundësi të ishin më të plotë, për Hoxhajn kjo nuk përbën justifikim. “Nuk mendoj se ndikoi, pasi kurdo që të luash, nuk ka rëndësi në çfarë dite apo ore. Do të thosha se ka ndikuar ndoshta tek kundërshtari. Nëse do të luhej ditën e shtunë, Abazaj dhe Bregu, dy nga lojtarët më cilësorë dhe të rëndësishëm të Luftëtarit, di që kishin probleme dhe ishin në rrezik për t’u aktivizuar. Shtyrja me dy ditë e takimit ka ndihmuar ndoshta pak kundërshtarët, megjithatë nuk duhet që të kapemi pas këtij fakti, pasi edhe me ata të dy në fushë ka qenë Flamurtari që ka dominuar në lojë dhe kemi humbur dy pikë në këtë përballje, që duhej ta kishim kaluar me tre pikë”, tha vlonjati.

VLLAZNIA

Të shtunën në Vlorë vjen Vllaznia dhe Hoxhaj bën thirrje për kujdes, por thekson se është momenti që Flamurtari të rikthehet te fitorja dhe do ia dalë mbanë. “Një emër i madh i futbollit shqiptar, por në këto momente jo në një situatë të mirë. Vjen pas një humbje në shtëpi përballë Laçit dhe duhet kujdes maksimal ndaj Vllaznisë. Shkodranët janë një skuadër që luajnë futboll të bukur dhe të lejojnë të luash futboll, ashtu si edhe Flamurtari, ndaj do të jetë një ndeshje shumë e bukur. Nuk duhet të harrojmë edhe emrat që ka në përbërje: si Hasani, Vucaj, Lika apo ndonjë tjetër, që janë lojtarë mjaft cilësorë. Megjithatë është momenti që Flamurtari të rikthehet tek fitorja dhe jam i bindur se do ta kalojmë me mjaft sukses këtë ndeshje”, përfundoi Hoxhaj prononcimin e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *