“Sport Ekspres” ka arritur të lidhet me sulmuesin e ri të Partizanit, Lukas Ferreira Kardozo. 23-vjeçari ka pranuar arritjen e marrëveshjes me të kuqtë dhe shprehet shumë i lumtur në lidhje me kalimin e tij te skuadra kryeqytetase. Ai thekson se Partizani i ka lënë shije të mirë dhe i kanë pëlqyer strukturat e klubit, pasi i pa nga afër në miqësoren që u zhvillua ndërmjet dy klubeve. “Jam shumë i lumtur që kam arritur marrëveshjen me Partizanin”, – shprehet fillimisht lojtari.
Më tej, ai tregon edhe për arsyen e kalimit të skuadra e Partizanit. “Kam qenë duke luajtur në Tiranë kundër Partizanit në një ndeshje miqësore. Më bënë përshtypje strukturat e ngritura të Partizanit. Mendoj se janë një skuadër e fortë”, – shton 23-vjeçari. Më tej, ai tregon edhe objektivin e tij për kalimin me skuadrën e kuqe.
“Kam bërë histori në Maqedoni dhe të njëjtën gjë dua të bëj edhe te ekipi i Partizanit. Dua të bëj histori”, – përfundon deklaratën e tij sulmuesi i ri i Partizanit për “Sport Ekspres”. Sezonin e shkuar Lukas fitoi Kupën e Maqedonisë, duke luajtur me Pelisterin.