Futbolli që ne dashurojmë… Të kesh ftohtë, të zgjerosh miqësinë, të udhëtosh gjatë dhe të eksplorosh. Dhe, në mes, një histori e kapitull i ri për të shkruar në aventurën e jetës… E ardhmja është e shkuara, por ndoshta miliarderët modern e kanë të vështirë ta kuptojnë
Nga Anton Cicani
A jemi vërtet të sigurt se futbolli që ne duam është ai i kapriçove, grindjeve, polemikave dhe llogarive bankare që “derdhen” nga qindra miliona euro të cilat nuk dihet nga e kanë prejardhjen? A jemi të sigurt që futbolli që duam është të shohim yjet botërore të bëjnë “show” në fushë me modele flokësh të çuditshme, me reklama të ndryshme dhe madje me ekspozimin e trupave të tyre pas çdo festimi goli? A jemi të sigurt se duam që të shohim spektatorë që qëndrojnë ulur për 90 minuta, që kamera i kap në çdo moment, që në dimër nuk kanë nevojë të ngrijnë së ftohti dhe të mos e shijojnë atë që konsumojnë ashtu si vetëm provinca ose vendet “e harruara” ta dhurojnë?
E sigurt është që “nuk jemi të sigurt”. Dhe, nëse do të na ofrohej një pasdite për të ndjekur PSG, Mançester Siti, Mançester Junajtid, Juventus, Inter, Milan, Real, Barcelona, Bajern, Dortmund apo skuadra të tjera “big”, apo një fundjavë në një periferi të humbur të Anglisë, aty ku nuk dimë asgjë, aty ku do të eksplorojmë, aty ku do të qëndrojmë në këmbë në stadium, do të marrim një çokollatë të nxehtë apo një birrë të freskët, ku do të konsumojmë një panine dhe do të shohim dy skuadra që përleshen në një terren të rënduar, mes baltës, rrethuar nga ndërtesa të vjetra, të lëna pas dore, apo qoftë edhe një qytezë që jeton për ndeshjen e të shtunës, atëherë përgjigja është: na preni biletën për këtë të dytën!
E pra, ky quhet “Non-League”, ose ndryshe “Futbolli romantik”. Ai i njerëzve, për njerëzit. Nuk mund t’i shpjegosh djalit apo vajzës tënde se si Ronaldo, Mesi dhe Nejmar fitojnë miliarda, por mund t’i shpjegosh se si pas pune, dikush gjen ende motivimin dhe dëshirën të luajë për klubin e qytetit. Mund t’i shpjegosh se mes sakrificës, fytyrës me baltë, apo edhe emocioneve pa kosto, ndërtohet jeta. Kënaqësia është edhe kjo.
Ata që nuk e kuptojnë këtë futboll, atëherë ndoshta duhet të mësohen ta kuptojnë dhe shijojnë. Jemi në serinë thuajse diletante… Pikërisht aty ku formohet karakteri, aty ku edhe një i pashpresë mund të shpresojë. Ku një shishe birrë e ndan me shokun dhe një “kafshatë bukë” e shijon në shoqëri.
E bukura e futbollit diletant është edhe kjo: një tifoz udhëton për qindra kilometra me objektivin për të parë ekipin e zemrës të luajë në një fushë shpesh të lënë pas dore, duke qëndruar ndoshta 90’ në këmbë në shkallët e cementit dhe me shokët e udhëtimit. Një “Kristofor Kolombi” modern, por antik në mentalitet.
Dhe, këto fusha, këto skuadra, këto tifozë, bëjnë që ky sport i quajtur futboll të jetë popullor. Kontratat miliardere, parukierët, moda, stili, veshjet, bizhutë, televizionet, transmetimet, sponsorët dhe shumë të tjerë, janë thjesht një botë false!