Tafili: Me Luftëtarin duam tifozët në stadium

Mesfushori kuqeblu beson se edhe me Luftëtarin do të dalin me sukses, pas fitores së rëndësishme ndaj Lushnjes.

Gaspër Marku

Një fitore, që më shumë se gjithçka kishte vlerat psikologjike e ka vlerësuar tre pikëshin e marrë ndaj Lushnjes mesfushori kuqeblu, Alsid Tafili. Sipas tij, marrja e tre pikëshit nuk ishte e lehtë, pasi kundërshtari kishte ardhur i karikuar për të marrë pikë, por gjithsesi ndjehet i kënaqur që e kaluan me sukses këtë ndeshje, që krahas të tjerave ndikon në largimin e ngërçit që ka pushtuar skuadrën prej disa javësh. “Normalisht që ishte e vështirë, sepse e dinim që Lushnja vinte për t’u mbrojtur. Kishim edhe një problem. Anën psikologjike, sepse nuk po e kalonim këtë ngërç. Sot, mendoj se shkuam mirë, duke krijuar shumë raste, kishim mundësi të shënonim edhe më shumë, por gjithsesi jemi shumë të kënaqur që arritëm të merrnim tre pikët”, theksoi Tafili.

Rastet e humbura – Kuqeblutë, nuk është hera e parë që spikasin në shpërdorimin e rasteve, por këtë radhë në përballjen me lushnjarët ato zunë një vend kryesor, aq sa gjatë të gjithë ndeshjes, por edhe pas saj vazhdojnë të jenë kryefjala e problematikes që shqetëson kampin shkodran. Nëse do të kishin qenë më të saktë, të paktën edhe për një pjesë të tyre, Vllaznia do të kishte dalë e fituar me shifra të thella. Ndërkohë, me shpërdorimin pa kriter të tyre, efekti negativ në skuadër është i gjithashëm. Janë të gjitha mundësitë për ta çuar kundërshtarin në kufijtë e dorëzimit moralo-psikologjik ndodhë e kundërta. Që do të thotë se në këtë rast i jepet një “oksigjen” kundërshtarit për të menduar ringritjen dhe në këtë mënyrë presioni spostohet në krahun tjetër, duke ngarkuar jo pak psikologjikisht të gjithë skuadrën ku peshën kryesore e merr reparti i prapavijës. Njëri prej tyre që humbi raste flagrante shënimi në portën lushnjare ishte edhe Alsid Tafili, por sigurisht që “rekordmeni” mbetet Atsina. “Po shpërdorojmë shumë, na ka ndodhur edhe në ndeshjet e tjera. Kemi bërë shumë, kemi bërë shumë ndeshje të mira, shumë raste, por nuk i kemi shënuar, dhe kjo na ka lënë edhe në këtë pozicion renditje”, shprehet Tafili. Duke përfshirë edhe veten e tij, ai mendon se arsyeja e humbjes së këtyre rasteve vjen nga situata ku gjendet skuadra, e cila ndikon në nxitimin dhe dëshirën për të shënuar sa më shpejt në portën kundërshtare për të siguruar pikët e nevojshme që i kanë munguar skuadrës prej shumë javës. Megjithatë, për Tafilin një gjë e tillë duhet të kalojë shpejt, sepse sa më shpejt të vijnë fitoret dhe sigurimi i pikëve, aq më tepër krijohet edhe stabiliteti emocional për trajtimin e rasteve të sigurta nga skuadra në përgjithësi.

Forma sportive – Duke folur për veten, Tafili bën të ditur se ka një gjendje të mirë sa i përket gjendjes fizike, e cila ka ndikuar edhe në marrjen e një forme sportive sa më optimal. “Forma sportive e imja, mendoj se është e  mirë, gjithmonë duke ndihmuar ekipin, por edhe duke treguar edhe vlerat e mia”, shprehet Tafili, por që gjithsesi është i mendimit se forcat dhe mundësitë e tij janë edhe për më shumë, gjë që shpreson t’i pasqyrojë ato në ndeshjet e ardhshme të këtij sezoni futbollistik.

Luftëtari – Përballjen në fundjavë me Luftëtari, Tafili e konsideron edhe më të vështirë, pasi sipas me këtë skuadër kanë pasur rastin të luajnë edhe sezonin e kaluar, duke konstatuar se mbart vlera në vetvete. Megjithatë, për mesfushorin shkodran, tashmë ka ardhur koha e kthesës për Vllazninë, por për t’ia arritur këtij objektivi ai kërkon edhe mbështetjen e tifozëve, duke filluar që nga ndeshja e ardhshme me Luftëtarin ku Vllaznia kërkon marrjen e tre pikëve. “Luftëtari në fund javë mendoj se është edhe më i vështirë. Normalisht, edhe ato kanë pretendimet e tyre, por duke qenë se vijmë nga fitorja e mesjavës me Lushnjën, kjo besoj se do të na japë një avantazh më të madh edhe në aspektin psikologjik për të qenë më të qetë në fushën e lojës. Qetësi, që krahas të tjerave shpresojmë të jetë edhe në momentet e krijuara përpara portës kundërshtare që këtë radhë pritet të jenë më konkluduese se sa me lushnjarët”, thotë Tafili.

Mesazhi – Në vijim, Tafili ka edhe një mesazh në drejtim të skuadrës, por edhe të tifozëve. Për kolegët e tij, në cilësinë edhe të një lojtari me përvojë, ai e sheh me vend që t’i kujtojë atyre se fitorja me Lushnjen ka vlerat e veta të padiskutueshme, por nga ana tjetër nuk ka vend për të gëzuar, sepse ndeshjet e tjera, edhe më të vështira vijnë në vazhdim. “Ne nuk duhet të buzëqeshim shumë ngaqë fituam me Lushnjen, duhet të përgatitemi sepse ndeshjet janë shumë afër. Kemi tre ndeshje brenda në shtëpi dhe duhet të marrim maksimumin. Të gjithë shpresojmë, të gjithë jemi duke punuar në këtë pjesë, edhe në stërvitje, edhe duke bërë analiza të gjata, mendojnë se është kthesa. Kemi nevojë edhe për mbështetjen e tifozëve ndeshjen e ardhshme ku shpresojmë të arrijmë marrjen e tre pikëve”, përfundon Tafili.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *