U rikthye në shtëpi, edhe pse vetëm për një ditë, të paktën deri tani… Rikardo Kaka ka qenë “kopertina” e djeshme sa i përket Milanit. Një vizitë në “Casa Milan”, autografe, fotografi, një diskutim me Fasonen mbi të ardhmen dhe mundësia që të kthehet, këtë herë, si ambasador, ose drejtues i klubit. “Të shohim, bisedova me Fasonen dhe ndoshta në të ardhmen mund të kthehem. Por, në fillim duhet të vendos për të lënë futbollin. Sa bukur të kthehesh në këtë qytet, te këta tifozë. Bashkë me Noçerinon, në MLS, kemi ndjekur ndeshjet e Milanit”.
Sakaq, ai ka folur edhe pas ndeshjes së fituar ndaj Austrisë së Vjenës: “Mbrëmje e bukur në “San Siro”. Milani luajti mjaft mirë. Pësoi gol, por më pas shënoi pesë dhe u kualifikua. Emocion i jashtëzakonshëm. E ardhmja, e përsëris, në rast se vendos të var këpucët, mund të jetë Milani, ku dyert i kam të hapura”. Sakaq, mbi ekipin, nxjerr konkluzione: “Milan i ri, duhet të rritet dhe piqet. Të gjithë e duan protagonist. Andre Silva më pëlqen shumë, shënoi gola. Ka një të ardhme të madhe, lojtar i mirë. Mund të luante edhe te Milani i kohës time. Dhe, i bëj thirrje tifozëve të besojnë te pronarët e rinj, pasi duan ta rikthejnë në lavdi skuadrën”.