Trajneri Demi tregon: Nga viti i kaluar kur kemi dalë nënkampion dhe kam qenë ndihmëstrajner, kam marrë vetëm 7000 lekë. Atëherë?!
Gjergj Vyshka
Problemi i mungesës së pagave në klubin shumësportësh Studenti, apo vonesa e tyre, nuk është kaq i thjeshtë sa mund të duket. E thënë ndryshe nuk është aq i thjeshtë sa kërkohet të minimizohet nga drejtuesit aktual të klubit shumësportësh Studenti. Ata që duket se po e vuajnë më shumë këtë mungesë pagash janë djemtë e volejbollit të meshkujve, të cilët në këtë periudhë kanë pasur dhe rezultate pozitive, ndërsa në kampionat kanë humbur vetëm një ndeshje me Partizanin. Dhe atë që ndodh aktualisht, ndërsa një gjë të tillë duket se e vuajnë dhe disiplinat e tjera, kjo që nga qitja, basketbolli, mundja, pingpongu, xhudo, karateja, noti etj, e tregon trajneri i Studentit, Altin Demi. Në sezonin 2016-2017, teksa skuadra drejtohej prej Arben Sakos, Demi ka qenë në rolin e ndihmëstrajnerit. Dhe shuma që ai ka marrë për detyrën që ka bërë është katastrofale. “Nga viti i kaluar – tregon Demi për Sport Ekspres – kam marrë vetëm 7000 lekë të rinj; një herë 5000 lekë dhe një herë tjetër 2000 lekë. Më thoni çfarë mund të bëhet ndryshe? Çfarë mund t’i thuhet lojtarëve, të cilët ashtu sikurse unë janë të gjithë familjarë dhe bëjnë një punë për të cilën duhet të paguhen. Nuk e di a do vijnë në stërvitje, apo jo, sepse me këtë gjendje që jemi e kanë kthyer në fakultative. E thënë ndryshe vijnë kur t’i teket. Është problem i mprehtë dhe nuk bëhet më fjalë për rezultate, apo stërvitje. Ndaj kemi kërkuar sensibilizimin e situatës, sepse nuk mund të vazhdohet më kështu”. Dhe gjithçka ka lindur spontanisht nga një kërkesë që Sport Ekspres ka bërë ndaj trajnerit Altin Demi për të folur për rezultatet e skuadrës së tij. “Ju merreni – thotë Demi – me fanellat kanë apo s’kanë emra mbi shpinë. Në fakt ka të tjera probleme më të mëdha. Ndaj dhe po e themi që gjendja është e vështirë”. Aktualisht Studenti është klub që varet prej Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe merr buxhet shteti. Por ajo që ndodh nuk është normale, sepse të gjithë ngrejnë shpatullat kur i pyet “a i keni marrë pagesat?!”.
Çfarë pat thënë shefi i klubit, Blendi Nallbani?
Prej më shumë se sa dy javësh në drejtim të redaksisë së gazetës Sport Ekspres është lëshuar një informacion që sportet në klubin shumësportësh Studenti kanë gjashtë muaj që nuk paguhen, apo që volejbolli të hënën e kaluar pat lënë dhe seancën stërvitore, e cila qe mbuluar me mungesën e dritave në sallën Nr.2 të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”. Ja se çfarë pat thënë shefi i klubit shumësportësh, Blendi Nallbani, rreth kësaj situate: “Nuk është aspak e vërtetë që volejbolli ka lënë seancën stërvitore, por ka pasur një fikje të dritave 15-20 minuta në sallën nr.2 të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” dhe më pas gjithçka është normalizuar. Nuk besoj se është problemi i vonesave të pagave ajo që ndikoi në humbjen me Partizanin. Unë kam qenë vetë sportist dhe për atë që më takonte kam bërë fjalë i pari, ama kur kam hyrë në fushë gjithçka e kam harruar. Volejbollit i takojnë, sikurse i takojnë të gjitha sporteve, sepse e kanë merituar. Por nuk duhet të harrojnë se janë disiplina sportive më e paguar dhe e trajtuar në klubin tonë. Ne kemi një fond të caktuar financiar, i cili është i limituar. Ardhja në shtator e tre disiplinave sportive të reja na detyroi që të paguanim dhe këto. E tashmë kemi kërkuar dhe një fond shtesë nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë për të plotësuar të gjitha disiplinat sportive. Deri në fund të këtij muaji gjithçka do të jetë e plotësuar, sikurse deri në fund të vitit nuk do të ketë asnjë të papaguar. Nuk e di se çfarë është bërë më parë, por të paktën në periudhën time në krye të këtij klubi nuk ka mbetur asnjë pa u paguar. Gjej rastin të falënderoj Drejtorinë e Sportit në Ministrinë e Arsimit, Sporti dhe Rinisë, por dhe Drejtorinë e Financës, që bëri të mundur krijimin e këtij fondi shtesë dhe më tej akoma lëvrimin e tij sa më të shpejtë. Ne një pjesë të borxhit ndaj “Asllan Rusit” e kemi paguar dhe atë që ka mbetur, kjo dhe falë dashamirësisë së kryebashkiakut Veliaj dhe institucionit të tij, ndërsa gjej rastin që ta falënderoj, na e kanë falur. Që do të thotë se ne tani mund të stërvitemi normalisht në sallën Nr.2 të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”, ndërsa kemi pasur dhe probleme kur për shkak makinacionesh na kanë hequr nga shkolla 9-vjeçare “Misto Mame”. E theksoj me bindje, Studenti nuk ka probleme financiare, por vonesa që do të zgjidhen deri në fund të këtij muaji, apo deri në fund të vitit”.
Studenti i sezonit 2017-2018
- Ledjon Rama
- Enea Martini
- Emiljano Xhabrahimi
- Ervis Bici
- Grios Pirra
- Aldo Kupi
- Denis Rama (kapiteni i skuadrës)
- Jurgen Gorenca
- Gracian Shehu
- Norgen Baruti
- Katriel Myrta
- Denis Bajrami
- Elvis Muça
- Ervin Kola
Trajner: Altin Demi, Agim Reka
Rezultatet e Studentit, sezoni 2016-2017
Studenti – Partizani 0-3 Kupa e Federatës
Erzeni – Studenti 2-3 Kampionat
Studenti – Elbasani 3-0 Kampionat
Farka Volej – Studenti 0-3 Kampionat
Studenti – Tirana 3-2 Kampionat
Teuta – Studenti 0-3 Kampionat
Skënderbeu – Studenti 1-3 Kampionat
Studenti – Partizani 1-3 Kampionat
Studenti – Vllaznia ? Kampionat
Totali 8 ndeshje; 6 Fitore, 2 humbje; Setavarazhi 19-9