Sulmuesi i Evertonit, Oumar Niase, është bërë futbollisti i parë në Premier Ligë që është vënë nën akuzë për simulim dhe për të pritet një pezullim që do të përbënte një lajm historik, pasi asnjëherë më parë një futbollist nuk është dënuar pas ndeshjes për një arsye të tillë.
Niase është akuzuar për simulim nga Shoqata e Futbollit (FA), pas një penalltie të fituar ndaj Kristal Palasit të dielën, në një sfidë që përfundoi 2-2.
Senegalezi u rrëzua në zonë pas kontaktit me Stok Dan, me këtë të fundit që protestoi gjatë kundër 11-metërshit të fishkëllyer nga arbitri Antoni Tejlor.
Oumar Niasse’s dive vs Crystal Palace. No wonder he got banned! pic.twitter.com/kkxRph2nTO
— GMS (@GMS678) November 21, 2017
Niase shënoi edhe një gol në atë takim, por tashmë do të pezullohet për dy ndeshje, nëse e pranon vendimin. Nëse apelon, mund të dënohet edhe më rëndë, po u shpall sërish fajtor. FA ka përzgjedhur një grup trajnerësh, ish-futbollistësh dhe ish-arbitrash, për të vendosur për çështje të tilla. Tre persona janë në juri dhe nëse dy prej tyre mendojnë se bëhet fjalë për simulim, lojtari dënohet.