Tavekio konfirmoi se ish-trajneri i Shqipërisë ishte ndër pëlqimet e tij për stolin axurr, por fut në mes aspektin ekonomik. Ndoshta, sepse 100 mijë euro do të “peshonin” në arkat e FIGC
Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Karlo Tavekio, ka dhënë shpjegimet mbi arsyen pse ai vendosi të zgjidhte Venturën për stolin e përfaqësueses italiane në një aventurë që u mbyll me një dështim historik. Në intervistën e dhënë për “Le Iene”, Tavekio shpjegoi se alternativat e tjera më të mundshme kishin qenë ato të Montelës dhe De Biazit, por gjithçka kishte të bënte me faktin që ishin nën kontratë me dy skuadra të tjera. E ndërsa në rastin e trajnerit të Milanit, sigurisht, do të duheshin të paktën 1 milionë euro, për të liruar De Biazin nga akordi me FSHF-në mjaftonin vetëm 100 mijë euro të klauzolës për prishje kontrate.
“Në fillim përmenda emrin e Donadonit, por Saputo (presidenti i Bolonjës), na u kundërvu. Ishin edhe De Biazi me Montelën, por ishin të gjithë nën kontratë dhe nuk është e thjeshtë të lirohesh nga kontrata milionere, përkundrazi. Pastaj Kairo më këshilloi që t’i jepja një mundësi ish-trajnerit të tij dhe mora edhe mendimin e lojtarëve të tjerë. Ventura kishte letër të bardhë për gjithçka, ne i vumë në dispozicion të gjitha gjërat që na kërkoi”, tregoi Tavekio.
Sakaq, ai rrëfeu dhe se ishte grupi ai që vendosi disi, teksa futbollistët nuk është se e kishin me qejf të madh De Biazin, duke qenë ai më larg Italisë. Duke folur për “Le Iene”, Tavekio tregon gjithçka që ka ndodhur në atë kohë: “Venturën e kam zgjedhur unë, por në atë moment kjo zgjedhje më mbeti. Konte shkoi te Çelsi dhe kandidatë ishin Ventura, De Biazi e Montela. Për zgjedhjen time mora edhe mendimin e lojtarëve më ekspertë të ekipit, fola me ta. Po them një gjë që nuk e kam thënë më parë: Doja Roberto Donadonin, por presidenti i Bolonjës nuk donte në atë kohë”.