Plaku: Mosha s’më lejon të jem një lojtar stoli

Sulmuesi i Kamzës shprehet i kënaqur për barazimin dhe golin, ndërkohë që vlerëson kohët e kaluara me ekipin korçar

Ambienti ishte shumë familjar për të në ndeshjen e djeshme. Sebino Plaku rikthehej në Korçë si lojtar i Kamzës dhe arriti të shënonte golin, që në fund kishte vlerën e një pike për skuadrën e tij. Pas ndeshjes, sulmuesi i Kamzës është shfaqur i lumtur për golin dhe për faktin që po shënon në vazhdimësi. Për “Supersport” Plaku ka treguar se ndjehet i lumtur te Kamza, ndërkohë që ka përsëritur arsyen pse u largua nga Skënderbeu:

“Korça është ambienti duhur për mua. Kam kaluar periudhën më të mirë timen këtu, por uroj të kem një më të mirë. Kemi vazhdimësi në rezultate dhe kjo është shumë pozitive për një ekip që vjen nga Kategoria e Parë. Sot (dje) nuk bëmë një lojë shumë të mirë, pasi Skënderbeu na imponoi lojën e tij. E patëm të vështirë. Në fund ne jemi më të gëzuarit besoj, pasi askush nuk merr pikë kollaj në Korçë. Pjesa e shtyllave është pjesë e fatit. Kur bën shtyllë dhe jashtë thonë je lojtar jo i mirë, kurse kur bën shtyllë dhe brenda, je lojtar shumë i mirë. Ndjehem mirë dhe kam ardhur me dëshirë te Kamza. Ishte e domosdoshme të lëvizja dhe të tregoja veten. Mosha ime nuk e pranon të jem lojtar stoli apo të mjaftohem me idenë se jam pjesë e një skuadre prestigjioze. Duhet të jetë ego e çdo futbollisti për ta treguar veten dhe jo të jetë i qetë në një ambient”.

GOLAT – Gjithmonë është mirë të shënosh. Te ky ekip kemi shumë pak mundësi të shfaqemi shumë herë para porte, ndaj duhet të jemi shumë pragmatistë. Uroj të vazhdoj kështu dhe të vazhdoj me këtë shënjestër. T’u shënosh pretendentëve? Normalisht, është hera e parë që shënoj kundër Skënderbeut dhe është ndjesi e veçantë. U mundova të mbaja emocionet, pasi kam kaluar shumë mirë këtu. Më kanë imponuar respekt dhe doja t’u ktheja respektin”, – tha Plaku.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *