Italianët rriten kostot financiare. Afruan lojtarë dhe një trajner pa eksperiencë. Nënvlerësuan Superioren, një fazë mjafton për të shkatërruar objektivin madhor
Eraldo Harlicaj
Dështuan. Luçiano Moxhi dhe Antonelo Preiti dështuan! Në korridoret e klubit të kuq këto fjalë thuhen nën zë, pasi askush nuk ka guximin të dalë hapur kundër të madhit “Big Lucciano”. Sigurisht, pasi ai ka ende në dorë fatin e secilit në klubin e “demave”. Nëse 80-vjeçari ka mundësinë të analizojë punën e secilit, atëherë kush mund të analizojë punën e tij? Te Partizani, askush. Atëherë, po përpiqemi të analizojmë ne. Mjafton një shikim në renditjen e tabelës së klasifikimit dhe në përbërjen e ekipit për të kuptuar gjendjen reale të Partizanit dhe punën e italianëve.
KUPAT E EUROPËS – Epoka e italianëve, Moxhit dhe Preiti nisi që në Europa League, edhe pse jo zyrtarisht. Trajnerit të asaj kohe, Sulejman Starova, i sollën Xhixhiuan dhe Basrakun, dy lojtarë që nuk i pëlqeu. Preiti kishte filluar të njihet me lojtarët dhe të gjithë e njihnin si drejtor. Moxhi ende ishte në prapaskenë, por daljet e tij publike nuk mungonin. Goditja e parë erdhi nga skuadra e Botev Plovdivit. Bullgarët eliminuan “demat” pa bërë asnjë rezistencë. Në Tiranë u mposhtën me rezultatin 1-3, në Bullgari me rezultatin 1-0. Dy ndeshje, dy humbje! Një fillim shumë i keq i aventurës kryeqytetase, sigurisht nga kjo duhet të nxirrnin mësime!
PUSHIMI I GJATË – Partizani ishte ekipi që i filloi më vonë se të gjithë të tjerët përgatitjet për fillimin e kampionatit. Të kuqtë morën pushime pas Europa Leagues deri më 15 gusht. Luçiano Moxhi dhe Antonelo Preiti ishin prezantuar si njerëzit që do të merrnin përsipër ringritjen e “legjendës”. Një muaj e gjysmë pushim, ishte një kohë shumë e madhe pauze, pasi skuadrat e tjera kishin arritur të merrnin ngarkesën e duhur dhe po fillonin të ulnin ritmin për të qenë gati për fillimin e kampionatit.
MARK JULIANO – Pas ndeshjes së fundit me Laçin në Laç, mund ta shfajësosh pak për rezultatet e dobëta, pasi grupi nuk është cilësor. Megjithatë, italiani ishte padyshim një nga trajnerët më të dobët që ka parë Partizani në krye të pankinës. I mefshtë, pa një CV të pasur dhe me rezultate shumë të dobëta. Në fazën e parë, “demat” koleksionuan më shumë humbje se sa fitore. Juliano nuk arriti të fuste frymën e tij në skuadër dhe nuk ishte shumë aktiv. Punën kryesore, të paktën nga ajo çfarë shihej në seancat stërvitore, e bënte zëvendëstrajneri Dosena. Në fund, u largua pa asnjë lloj rendimenti dhe kontributi pozitiv.
MERKATOJA – Trinomi Moxhi-Preiti-Juliano bënë merkaton e verës, afrime që do të mbahen mend gjatë, por jo si Ekubani. Kjo sepse asnjë nga lojtarët që iu bashkuan të kuqve nuk ka arritur të bëjë mirë. Madje, janë afruar lojtarë nën nivelin mesatar, e shumë larg nga niveli i të larguarve të sezonit të kaluar. Merkatoja e janarit do të sjellë një spastrim të madh në radhët e të kuqve, afrimet e verës do të largohen. Lista e gjatë e të afruarve nga stafi italian nuk kanë arritur të gjejnë vend as në 18-she, madje as me trajnerin Juliano. Starova aktivizoi vetëm La Kameran në ndeshjen e parë të tij si i rikthyer në stolin e kuq. DËMI SPORTIV – Partizani e sheh vetën larg objektivi madhor që në javën e 10-të. Moxhi dhe Preiti u afruan për të rikthyer titullin e munguar, por kryeqytetasit shohin vetën jashtë garës për kampionatin dhe me një diferencë prej 15 pikësh nga vendi i parë, Skënderbeu. Madje, nga renditja aktuale, luks i tepërt do të quhej edhe kapja e Europa Leagues direkt nga kampionati. Largimi nga objektivat shoqërohet edhe me paraqitjen e dobët të ekipit. Forca e skuadrës ka rënë dhe grupi nuk është më i uritur, e çuditshme, s’kanë fituar asgjë!
DËMI FINANCIAR – Shpenzimet dhe rezultatet e skuadrës janë në pole krejtësisht të kundërta. Buxheti i klubit është dëmtuar së tepërmi nga shpenzimet e mëdha të ish-stafit teknik dhe të lojtarëve të afruar në merkato. Pjesa më e madhe e tyre do të largohen, çka do të thotë se mund të kërkojnë dëmshpërblime për prishjen e kontratës, ashtu siç ndodhi me trajnerin Juliano. Afrimet e janarit do të jenë një barrë tjetër për klubin. I pakënaqur është edhe presidenti Demi që ka shpenzuar më shumë se asnjë vit dhe nuk i është përkthyer në suksese. Një tjetër e metë e Moxhit dhe Preitit është edhe shitja e lojtarëve të afruar si “yje”, madje edhe duke i mirëpaguar.
ÇANI – Nëse flasim për autogola në fushë, Partizani e ka bërë më të madhin në merkato. Emri i tij është Edgar Çani. Sulmuesi i afruar me bujë dhe me statusin e “yllit” erdhi si i dëmtuar dhe vazhdon i dëmtuar. 28-vjeçari nuk zhvilloi fare analiza mjekësore dhe kjo është një gafë e madhe e stafit italian, dhe administratës së klubit. Sulmuesi është më i paguari në skuadër dhe nuk ka dhënë asnjë kontribut për Partizanin. E pafalshme, për Moxhin dhe Preitin!