“Dibrani” Çakhashvili dhe misteri i numrit 19

Sulmuesi gjeorgjian flet për Korabin dhe kampionatin shqiptar, si dhe për ndërrimin e numrit në fanellë

Vladimir Prenga

Ioseb Çakhashvili është një nga afrimet e Korabit në merkaton e verës. Sulmuesi gjeorgjian në të shkuarën ka luajtur në vendin e tij, në Armeni dhe në Iran, ndërkohë që këtë verë zgjodhi të vinte në Shqipëri. Me dibranët është aktivizuar në pesë ndeshje dhe në miqësoren e së shtunës ia doli të shënonte gol ndaj kampionëve të Kukësit, në një miqësore që skuadra e drejtuar nga Julian Ahmataj e fitoi me rezultatin minimal 0-1. Në një prononcim që i ka dhënë për “Sport Ekspres” flet për ardhjen e tij në Shqipëri dhe për futbollin e këtushëm. Kur e pyet për objektivat, ai vë përpara Korabin.

“Para se të vija këtu kam luajtur në elitë në Gjeorgji, Armeni dhe Armeni. Erdha këtu falë ndihmës së menaxherë të mi, Andi Matraxhiut dhe Florin Bibës, të cilët i falënderoj”, të thotë fillimisht Çakhasvhili, që me tej shton: “Korabi është një ekip i mirë, me një trajner të mirë gjithashtu. Këtu ka lojtarë me eksperiencë të madhe dhe shumë lojtarë të rinj. Futbolli shqiptar është fizikisht shumë i fortë. Objektivat e mi? Për mua e rëndësishme është ecuria e skuadrës dhe më pas vijnë golat. Këtu te Korabi jemi një familje e madhe: lojtarët, stafi i trajnerëve dhe presidenti. Mendoj se Korabi do ta përfundojë kampionatin me shumë pikë”.

24-vjeçari në të shkuarën ka mbajtur në fanellë vetëm numrin 19-të dhe ai në vetvete përmban një mister. Tashmë në fanellë ka numrin 25, por gjithsesi ndihet mirë. “Rreth numrit tim fshihet një histori e madhe, por edhe me numrin e ri ndihem mirë”, përfundoi gjeorgjiani deklaratën e tij.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *