Italia, revolucion total dhe skuadër për t’u rindërtuar

Italia në humnerë, as në ëndërr nuk e kishte parë veten jashtë Botërorit. Ndodhi dje ndaj Suedisë, por ishte diçka e paevitueshme, pasi degradimi vijon prej vitesh.

Triumfi në Botërorin gjerman u veshi sytë italianëve, që mendonin se anija axurre ecte vetë, pa nevojën e një timonieri, pa nevojën e marinarëve perfektë. Bufon e pak të tjerë, mbetur nga Botërori gjerman, bënë ç’mundën, por nuk mjaftoi, sepse e vërteta është e thjeshtë: Italia e ka shkatërruar futbollin e vet dhe brezat e rinj janë mediokër.

E ardhmja është e zymtë dhe duhet revolucion total, a mund ta bëjë Italia? A mund të rindërtohet federata nga zero, me president të ri, me ndryshim rregullash në çdo aspekt, si bëri Gjermania pas dështimit në vitet 1998 e 2000? E vështirë, italianët nga natyra nuk janë revolucionarë, por skuadra do të ribëhet, nga halli, duke parë moshën e disa lojtarëve.

Bufon e mbylli, Barzali po ashtu, De Rosi e Kielini praktikisht janë tërhequr dje. Katër senatorë, fenomenë, me mbyllje tepër të trishtuar.

Vjen pastaj një brez 30-vjeçarësh që zor se e kapin Botërorin 2022: Bonuçi, Parolo, Kandreva, Parolo, Eder, Astori, D’Ambrozio. Gjithsesi, pak prej tyre vlejnë.

E ardhmja nis nga Donaruma, Kaldara, Rugani e Romanjoli, mbrojtje premtuese. Në mesfushë e lart nuk ka cilësi, hiq Verratin, por mesfushori tek Italia nuk ka treguar ende asgjë.

Trajneri i ri ka mision tepër të vështirë, por nëse në Itali e kuptojnë se ka ardhur koha për revolucion, Italia ngrihet për dy vite. Kampionat me 18 skuadra, më shumë të ardhura për klubet, federim i detyruar të rinjsh italianë, stim për klubet që aktivizojnë të rinjtë, riorganizim të kombëtareve të moshave, dhe trajnerë niveli, jo të tipit Ventura.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *