Drejtori i ri i Partizanit ka ndjekur Shqipërinë U-21 së bashku me ish-drejtorin. I pari thuajse i konfirmuar, i dyti ende e pakonfirmuar
Ndeshja e Shqipërisë U-21 në Tiranë kundër Irlandës së Veriut kishte mbledhur në stadiumin “Selman Stërmasi”, personazhe të futbollit në Shqipëri. Ndër të tjerët, ka rënë në sy edhe ndjekja e ndeshjes së bashku ndërmjet Olsi Ramës dhe ish-drejtorit të Partizanit dhe Kukësit, Dritan Dervishi.
Rama është një dashamirës i futbollit dhe veçanërisht i ekipit të Partizanit. Ai nuk mungon thuajse në asnjë ndeshje të “demave” brenda dhe jashtë fushe. Sipas informacioneve të fundit, fillimisht të deklaruara nga gazetari Fation Shehu në TVSH, por edhe të konfirmuara për “Sport Ekspres” nga zëra të tjerë brenda klubit, Rama do të jetë drejtori i ri i Partizanit. Kjo do të thotë se ai ka nisur nga puna që tani, pasi po vëzhgon edhe talentet e reja të Shqipërisë. Akoma nuk është konfirmuar asgjë nga vetë kryeqytetasit, pasi nuk dihet se kush dhe kur do të largohet për t’i liruar vendin atij. Emrat më të rrezikuar janë Antonelo Preiti dhe Genc Tomori.
Në krahun e Ramës shihet ish-drejtori i Partizanit dhe i Kukësit Dritan Dervishi. Ky i fundit nuk e ka fshehur asnjëherë dëshirën për t’u ribashkuar me të kuqtë, ndërkohë që gëzon edhe simpatinë e një pjesë të rëndësishme të tifozerisë së kuqe.
Dyshja ka qenë ditën e djeshme në tribunat e “Selman Stërmasit” për të parë Shpresat, por kur i ngacmon se në një të ardhme të afërt mund të shohin Partizanin në pozitat e zyrtarëve, nuk japin asnjë përgjigje dhe vetëm buzëqeshin.
Vala e parë e ndryshimeve ka filluar në klubin e kuq, ndryshime që kthyen Partizanin sërish në ciklin “zero”. Aty ku trajneri Starova ka detyrën e vështirë për të rikthyer besimin te skuadra e kuqe dhe për të ngritur kryeqytetasit në klasifikim.
Ndërsa duket se presidenti Demi ka filluar të mendojë edhe për ndryshime të tjera. Rama është në “pole-position”, ndërkohë që Dervishi mund të jetë goditja “blic” e preferuar nga drejtori i ri i Partizanit. Situata duket mjaft intrigante me Moxhin si Drejtor të Përgjithshëm dhe Sulejman Starovën si trajner. Mbetet vetëm t’i lihet kohës se çfarë do të ndodhë.