Zelanda e Re do të përballet me Perunë në hapësirën e 4 ditëve, për një vend në Kupën e Botës, ndërkohë që disa lojtarë të saj do të bëjnë udhëtime rekord, si kurrë në histori me shumë mundësi.
Shtatë lojtarët neozelandezë që luajnë në Britaninë e Madhe do të duhet të bëjnë plot 38.000 kilometra në hapësirën e dy javëve, duke përfshirë dy ndeshjet e kampionatit dhe dy ndeshjet kualifikuese mes tyre. Nga Anglia, fluturim për në Zelandën e Re. Aty ndeshja e vajtjes dhe direkt fluturim për në Peru, për ndeshjen e kthimit. Pas ndeshjes, udhëtim direkt për në Angli. Më shumë ditë në ajër, sesa në tokë.
Uellingtoni i Zelandës së Re është 13 orë para Britanisë së Madhe dhe Lima e Perusë është 5 orë pas. Në raste të tilla, ilaçe gjumi dhe kafe pa fund janë zgjedhjet e detyruara të lojtarëve, që do të kalojnë shumë orë nëpër avionë e nëpër aeroporte, ndërsa disa lojtarë australianë që e kanë provuar një makth të tillë për të luajtur në Japoni, tregojnë se në ditët e udhëtimeve ishin aq të lodhur, sa dukeshin si “zombi”, edhe për shkak të ndryshimit të shpeshtë të orës.