Xhorxho Kielini është një ndër mbrojtësit më të mirë në botë dhe ndër karakteristikat e tij ka lojën e ashpër dhe ndërhyrjet që shesh rrezikojnë edhe vetë atë, duke u gjakosur shpesh. Mbrojtësi i Juventusit nuk bën finte në fushë, është një nga ata futbollistë që duket sikur kanë ardhur nga vitet ‘70-’80, shumë shkelma e pak llafe. I tillë është Kielini edhe jashtë fushe, sepse flet shumë rrallë në intervista dhe është i drejtpërdrejtë.
Në prag të sfidës kundër Suedisë, Kielini ka folur për Corriere dello Sport, duke e konsideruar detyrim kualifikimin në Botëror: “Nëse dështojmë, do të jetë fundi i botës. Për fat, Italia shkon në Botëror prej 60 vitesh dhe ne të gjithë duam të shkojmë, si ata që kanë luajtur shumë Botërorë si Bufon, ashtu edhe të rinjtë.
“Play-off? E dinim që Spanja ishte superiore, na vjen keq vetëm për humbjen në Madrid, që uli ndjeshëm entuziazmin dhe solli edhe fishkëllima nga tifozët në ndeshjet pasardhëse.
“Suedia? Do të jetë një ndeshje e vështirë, e vendosur nga episodet, e luftuar, por jemi gati, varet nga ne. Shanset janë 50%-50%.
“Riformohet mbrojtja e famshme Bonuçi-Kielini-Barzali? Po, do të bashkohemi sërish me Bonuçin, është gjithnjë një kënaqësi. Italia nuk është vetëm treshja e mbrojtjes, duhet ekuilibër. Unë dhe Bonuçi kompletonim njëri-tjetrin te Juventusi, kalimi i tij te Milai është normale që të ketë vështirësi.
“Pasardhësit tanë? Ka disa të rinj të talentuar, Rugani, Kaldara e Romanjoli janë Under-23, duhet të fitojnë eksperiencë ndërkombëtare dhe janë shumë të rinj, unë në moshën e tyre kisha më pak eksperiencë. Problemi i vërtetë është se Guardiolizmi ka rrënuar një brez të tërë mbrojtësish. Tani të gjithë lëvizin në krah, ndërtojnë lojën, por në krose nuk ekziston asnjë mbrojtës italian që ta “ndiejë” kundërshtarin, kështu po humbasim historinë. Ne nuk do ta kemi kurrë “tiki takan” e Spanjës, e kam thënë që Juventusi nuk do fitojë kurrë 6-0 si Reali dhe më kritikuan. Për t’u kthyer në majë, Italia ka nevojë për sulmues të vërtetë, si ata që kishim para 20 vitesh, por duhet edhe kthimi i ndonjë mbrojtësi “të vërtetë””.