Ish-trajneri kërkon dëmshpërblim të lartë, Partizani kërkon të shmangë kërkesat e tij. Moxhi distancohet nga tekniku. Prishja e kontratës pritet të ndodhë sot
Eraldo Harlicaj
Ish-trajneri i Partizanit, Mark Juliano, ka mbërritur sërish në kryeqytet. Italiani, ashtu siç ishte paralajmëruar, ka kaluar sërish Adriatikun për t’u kthyer në klubin e kuq, arsyeja? E thjeshtë, prishja e marrëveshjes me 15 herë kampionët e vendit. Ai u shkarkuar nga klubi kryeqytetas dhe ditën e djeshme është kthyer për të negociuar për prishjen e marrëveshjes me kryeqytetasit. Siç pritej, Juliano ka kërkuar dëmshpërblim nga ana e klubit të kuq, ndërsa këta të fundit kanë dashur të mbyllnin “kapitullin” e tij thjesht me detyrimet financiare deri në momentin që ai ishte në krye të skuadrës. Diçka e tillë nuk është pranuar nga 44-vjeçari që kërkon dëmshpërblim.
TAKIMI – Burime të besueshme pranë klubit të kuq bëjnë me dije se takimi ndërmjet palëve ka ndodhur ditën e djeshme. Ish-trajneri i Partizanit është takuar me drejtuesit e klubit kryeqytetas dhe kanë diskutuar prishjen e kontratës. Palët kanë paraqitur pretendimet e tyre dhe negociatat kanë dështuar në takimin e parë duke mos i dhënë zgjidhje. Italiani kërkon që të ketë një dëmshpërblim të majmë, pas prishjes së marrëveshjes me dëshirë të njëanshme nga klubi i kuq, ndërsa “demat” që të ulin sa më shumë kostot. Kryeqytetasit kanë dashur të mbyllin marrëveshjen duke i paguar të gjithë muajt deri në momentin që ka qenë në krye të skuadrës, por nuk ia kanë arritur. Si duket, ata duhet të sforcohen pak edhe ekonomikisht. Juliano ka pasur një rrogë prej 9 mijë eurosh në muaj, duke qenë një ndër më të paguarit në klubin e kuq. Megjithatë pjesë e dëmshpërblimit llogaritet edhe rroga për zëvendëstrajnerin Dosena. Italiani vjen si paketë e plotë.
MOXHI – Drejtori i Partizanit, Luçiano Moxhi, nuk ka marrë pjesë në diskutimet për prishjen e kontratës. Pavarësisht se ishte ai vetë që e solli Julianon në krye të stolit të “demave”, nuk ka preferuar të merret edhe me prishjen e kontratës. Të paktën deri ditën e djeshme, zyrtari i të kuqve nuk është përfshirë në diskutime. Kjo nuk ka lënë një shije të mirë te drejtuesit e tjerë të klubit që e kanë cilësuar si një sjellje të gabuar nga ana e tij.
VAZHDIMI I NEGOCIATAVE – Negociatat mes Julianos dhe Partizanit priten të mbyllen përfundimisht ditën e sotme. Do të ketë një takim tjetër mes palëve dhe gjithçka do të shkojë drejt prishjes së kontratës edhe në mënyrë ligjore. Tekniku italian do të marrë edhe ca para të tjera të mira në xhep, ndërsa Partizani do të mbyllë një kapitull të dështuar dhe me kosto financiare, por kryesorja me kosto të pariparueshme sportive. Me Julianon në krye, ëndrra për titull duket se u mbyll që në fazën e parë, pasi ekipi kryeqytetas e gjen veten 14 pikë larg Skënderbeut të vendit të parë. Një distancë e frikshme dhe thuajse e parikuperueshme.