Klubi i tij, Poli Iashi, del hapur në postimin e Facebook: “Dërguam shkresë zyrtare për t’i dhënë nënshtetësinë rumune, por të tjerët u treguan më të shpejtë”
Anton Cicani
“Isha i emocionuar, në ekstazë, kam qarë për 20 minuta. Mbeta i tronditur, idhujt e mi të fëmijërisë luajnë për Shqipërinë, ndaj nuk di ç’të them, jam ende i tronditur. Ëndrra ime ka qenë gjithnjë që të luaja për Shqipërinë, atje e kam zemrën. Shqipëria shkoi në Europian vjet, është një kombëtare shumë e mirë”. Kamer Qaka është risia e Kristian Panuçit dhe kombëtares. i peshkuar në listën “B” dhe sekrete të trajnerit italian, futbollisti i lindur në Kosovë, rritur në Norvegji dhe që së fundmi, prej verës, është pjesë e Politeknika Iashit, në Rumani (ku edhe po shkëlqen dhe ka luajtur thuajse të gjitha ndeshjet e kampionatit, duke u shpallur shpesh ndër më të mirët dhe në formacionin e javës), ka tërhequr vëmendjen rreth tij.
Profili – Me origjinë nga Kosova, 22-vjeçari ka shkuar në Norvegji që në moshën 2.5 vjeç dhe është rritur aty. Për shumë vite te Valerenga në Oslo, deri në verë luante te Kristiansundi, ku vjet u shpall Futbollisti i Vitit në divizionin e dytë dhe sivjet shkëlqeu edhe në Eliteserien, para se në verë të shkonte në Rumani, te Poli Iashi. Mesfushor qendror, me tipare mbrojtëse, Qaka është një luftëtar, një ushtar i vërtetë, i cili në krah ka tatuazh shqipen e flamurit tonë. Deri në moshën 19-vjeçare Qaka ka luajtur kombëtaret e moshave në Norvegji, por më pas nuk erdhi kalimi në kombëtaren U-21. Në moshën 14-vjeçare e kërkoi edhe Ajaksi, por refuzoi, për të qëndruar në Norvegji, por kombëtarja skandinave nuk ia dha kurrë shansin dhe tashmë Qaka ka ndryshuar jetë: në Rumani me Iashin dhe tani me Kombëtaren shqiptare.
Prapaskena – Por, ndoshta nëse Panuçi nuk do të ishte “zgjuar” shumë shpejt, vitet e ardhshme, Qaka mund të ishte pjeësë e Rumanisë. Një gënjeshtër? Jo edhe aq, duke parë postimin e faqes zyrtare të klubit Politeknika Iashi, ku pasi përgëzon futbollistin për ftesën kuqezi, nënvizon se klubi, në bashkëpunim me federatën, zyrtarisht kishin nisur negociatat me federatën për ta pajisur me nënshtetësi rumune, edhe pse ai kishte vetëm 3 muaj në këtë vend. “Prindërit e tij janë shqiptarë dhe drejtuesit e klubit tonë bërë shkresë zyrtare për ta natyralizuar rumun, por siç duket të tjerët janë menduar më shpejt se sa ne”, shkruhej në adresën e klubit, me postimin e fotos së shqiptarit. Tashmë, Panuçi dhe shqiptarët do ta shijojnë nën ngjyrat e flamurit kuqezi…