Shqipëria U21 do të luajë të premten (ora 18.00) në “Selman Stërmasi” ndeshjen e pestë kualifikuese për Euro 2019, kur të presë Irlandën e Veriut. Në vajtje u mundëm 1-0, me gol në shtesë, ndaj trajneri Alban Bushi tani kërkon hakmarrje, ndaj një rivali që sipas tij është inferior dhe rastësisht në krye të grupit tonë.
“Irlanda e Veriut ka 9 pikë, por ka pasur shumë fat. Ka fituar dy ndeshje me penallti dhe shumë fat. Mendoj se jemi superiorë, edhe pse jemi më poshtë në renditje. Jemi të qetë dhe pa presion mbi vete, por duhet të shënojmë, ku është shqetësimi ynë. Irlanda e Veriut është një rival që mbrohet shumë, rri gjithë kohën në mbrojtje për të goditur në kundërsulm. Na mundën në shtesë në ndeshjen e vajtjes, por tani duam tre pikët, edhe pse përballë është një rival i vështirë, që të prish lojën dhe mbrohet fort, bën rrëmujë në fushë dhe ky është problem. Duam vendin e dytë, ndaj fitorja është detyrim ndaj Irlandës së Veriut. Nuk është se e kemi detyrim vendin e dytë, por tani mundësitë janë, nëse fitojmë. Po luajmë mirë, nuk po pësojmë shumë dhe nuk po vuajmë shumë ndaj kundërshtarëve, ndaj jam i kënaqur”.
Do të mungojë sulmuesi Fiorin Durmishaj, lojtar mjaft i rëndësishëm: “Mungon sepse është ende i dëmtuar. Klubi i tij në Greqi na ka njoftuar se sulmuesi do të operohet dhe është një problem i madh për ne, sepse ai mbante peshë në sulm, shënoi edhe gol në Islandë, duke luajtur shumë mirë. Po lëvizim gjithnjë formacionin, por kemi alternativa cilësore. Të gjithë lojtarët janë gati, vetëm mbrojtësi Bardhec Bytyqi pret të marrë pasaportën. Më vjen keq që nuk është Durmishaj, sepse është lojtar i talentuar”.
Ramadani është tashmë pjesë e Shqipërisë A: “Ramadani ka luajtur disa ndeshje shumë të mira edhe me Shpresat, ndërsa po luan rregullisht në ekipin e vet, ndaj e ka bindur Panuçin”.
Manaj sërish jashtë: “Është lojtar i së ardhmes, e kemi në plane dhe do ta ftoj kur të më duket gati për Shpresat, por për momentin kam sulmues më të mirë në skuadër”.
Datë 10.11.2017, ora 18.00, stadium “Selman Stërmasi”
SHQIPËRI U21 – Irlande e Veriut
SHQIPËRIA U-20 DEBUTON NË GJEORGJI
Bushi ka prezantuar edhe listën e Kombëtares së re, U-20, që do të luajë një miqësore më 14 nëntor në Tbilisi ndaj Gjeorgjisë (ora 14.00). “Do të luajmë një miqësore në Gjeorgji, me shumë lojtarë edhe nga ekipi aktual, pasi do të mundohemi të përgatitim edhe ekipin e edicionit të ardhshëm. Lojtarët që janë U-20 nga ekipi aktual i Shpresave do të jenë bazë edhe në U-20”, u shpreh trajneri i Shqipërisë U-21, i cili do të drejtojë edhe kombëtaren U-20.
Datë 14.11.2017, ora 14.00, Tbilisi, në stadiumin “David Petriashvili”.
Gjeorgji U20 – SHQIPËRI U-20