Presidenti Ardjan Takaj, një ditë përpara nisjes për në Beograd u ka rikujtuar të tijve premion që kanë për të marrë, në rast fitoreje apo barazimi. Shifra është e njëjtë me ndeshjet e mëparshme, 100 mijë euro për fitoren dhe 50 mijë euro për barazimin. Në fakt, u mendua se mund të kishte një shpërblim më të lartë në këtë rast, por shifra nuk ka ndryshuar. Këtë premio presidenti Takaj e ka vendosur që në fillim të ndeshjeve në grup, pasi UEFA e shpërblen çdo ekip me 360 mijë euro për fitoren dhe 120 mijë euro për barazimin.
Deri tani, në tri ndeshjet e para të grupeve, klubi juglindor ka përfituar 240 mijë euro, për shkak të dy barazimeve me Jang Bojs dhe Partizanin e Beogradit në “Elbasan Arena”. Futbollistët kanë përfituar 100 mijë euro me këto dy barazime. Kalimi i mundshëm i grupeve të Europa League do të sillte miliona euro për Skënderbeun, një objektiv vërtet i vështirë, por jo i paarritshëm. Nëse nesër në mbrëmje Skënderbeu arrin të marrë tri pikë në Beograd dhe Jang Bojs nuk fiton ndaj Dinamos së Kievit, korçarët kanë shumë shanse për të shkuar më tej.