“Kam kaluar bukur në aventurat në Tiranë e Ballsh. Sfidën e fundjavës e shoh si finale të parakohshme për Superioren…
Erjon Saliu
Afro dy dekada më parë, Emanuel Egbo si portier i huaj, erdhi në Shqipëri, madje që kishte luajtur me Kombëtaren e Nigerisë. Nga El Masri i Egjiptit erdhi te Tirana për të vijuar karrierën dhe shkes u bë ish-presidenti El Sajed i cili nuk jeton më. Por, vitet kaluan shpejt dhe Emanuel Egbo është kthyer në një personazh për futbollin shqiptar, mjaft i admiruar dhe i respektuar, kjo edhe në saj të karakterit dhe profesionalizmit. Ka ditur të sillet në fushën e lojës dhe të ruaj autoritet, por edhe të bëj më të mirën. Ashtu si edhe më pas, në detyrën e trajnerit, të cilën e nisi në Ballsh, me Bylisin në Superiore dhe po e vazhdon te Tirana. Ka fituar shumë trofe në Shqipëri, aty ku ka kaluar pjesë nga më të bukura të jetës së tij. Pak ditë më parë, kurorëzoi edhe martesën me bashkëshorten e tij filipinase. Egbo është një profesionist i vërtetë, nuk ka shumë kohë për pushime. Nga altari…në fushë sepse përpara Tiranën e pret një sfidë ndryshe nga të tjerat. Vjen Bylisi, një nga kandidatët potencional, dhe rivali kryesor për Tiranën. Një duel ndryshe edhe për Egbonë, pasi si e thotë ai do të luhet një finale, mes dy “dashurive” të tij në Shqipëri..
- Egbo, afro dy dekada më parë vinit në Shqipëri…Mund të na rikujtoni pak të kaluarën tuaj?
- Po, kam ardhur gjatë sezonit 2001-2002 për herë të parë dhe deri në 2004 kam qenë portier te Tirana. Kam kaluar shumë mirë. Më pas jam larguar jashtë sërish. Kam fituar shumë trofe me bardheblutë, ne ishim skuadra më e mirë, e me shumë kualitete…
- Më pas..jashtë e sërish në Shqipëri, por te Bylisi…
- Po, në Ballsh, ishte në Kategorinë e Parë në atë kohë dhe oferta e Bylisit ishte shumë më e mirë se disa skuadra të Superiores. Në Ballsh më kanë vlerësuar shumë. Ka qenë një eksperiencë shumë e bukur. Nga sezoni 2007, deri në 2011. Më pas, presidenti Besnik Kapllanaj më mbajti në staf, sepse u bëmë miq dhe unë u bëra zv. trajner por edhe trajner portierësh në atë klub. Derisa në sezonin 2013-2014 unë u bëra trajner i parë i Bylisit. Një vlerësim shumë i madh sepse merrja drejtimin e ekipit pas një sezoni shumë të mirë, ku Bylisi kishte shkuar në finalen e Kupës së Shqipërisë. Madje, ishte nja nga ekipet më solide në Superiore….
- Karriera jote, duket mes aksit Tiranë-Ballsh, këtë javë Tirana, pjesë e së cilës jeni, pret pikërisht Bylisin…
- Të them të drejtën, janë dy dashuritë e mia. Tirana dhe Bylisi, por më shumë qyteti i Ballshit. Në Ballsh kam kaluar shumë vite të lumtura. Në atë qytet kurrë nuk ndihesh i huaj. Më besoni, mund ta paragjykojnë, apo mund të thonë që është kështu e ashtu. Flasin ata që nuk e dinë dhe nuk e njohin Ballshin. Tradita e Mallakastrës ka qenë dhe është mikpritja. Unë kurrë nuk jam ndier si nigerian, por jam ndier më shumë se mallakastriot. Presidenti, stafi, lojtarët, por edhe tifozët më kanë respektuar shumë. Unë edhe natën po të vete në Ballsh, ju siguroj që më marrin dhe më mbajnë në familjet e tyre. Kam shumë respekt për atë qytet…Tirana është e madhe, ka mundësi argëtimi, njerëz të dashur, por prapë Ballshi është i veçantë…
- Si e shikon sfidën e kësaj fundjave dhe kush favorizohet?
- Tirana duket e favorizuar, por ama Bylisi është shumë i fortë. Ka një ekip shumë të mirë. Madje, për mua janë rivalët tanë kryesorë. Kanë disa lojtarë shumë të mirë të huaj, por edhe shqiptarë. Pastaj sekreti i Bylisit është presidenti, ai do gjithmonë më të mirën për atë klub. Do të jetë një ndeshje shumë e bukur, ja vlen për t’u parë. Do të jetë një duel ndoshta si ata më të bukurit në Superiore.
- Çfarë keni ndonjë peng nga karriera me Tiranën dhe Bylisin?
- Tirana ka qenë një klub i madh që fitorja trofe dhe luaja në Europë. Mendoj se me Tiranën kemi arritur shumë, kurse pengu im ka qenë momenti kur Bylisin e përjashtuan padrejtësisht. Ndoshta e kam merak dhe shpresoj që unë një ditë të rikthehem e ta gjej Bylisin në elitë. E meriton, i jep rivalitet garës. Jo më larg se dy vite, mbajti garën për titull ndezur, sepse ka gjithmonë ekip të fortë dhe lojtarë nga më të mirët…Bylisi i duhet Superiores…
Ballshi, me fat që ka Besnik Kapllanajn
“E kam njohur rastësisht, por tashmë jemi shumë miq. Mbaj mend kur e mori Bylisin, që ka qenë duke u shkatërruar fare dhe duke mos ekzistuar edhe si emër. Por, bëri atë që rrallë e bëjnë për qytetin e tyre. E ngriti ekipin, madje e shikonte si pjesë të familjes. Skuadrën e Bylisit, Besnik Kapllanaj e do me zemër dhe qëndron 24-orë me të. Ai investon shumë, dhe sot, po të shohësh ka më shumë se 12 sezone që kontribuon për futboll në atë qytet. Investimet janë kolosale, por edhe ndryshimi është shumë i madh. Bylisi është një klub shumë i organizuar, madje që po shet edhe lojtarë. Ballshi është me fat që ka Besnik Kapllanajn. Unë e kam mikë dhe e falënderoj shumë sepse edhe në gëzimin tim familjar, ai mori pjesë. Ku i dihet, ndoshta një ditë mund të rikthehem në Ballsh. E kam për nder, kurrë mos thuaj kurrë”.
“Struktura e gabuar, Tirana e Bylisi janë për elitë”
“Kampionati është i bukur, por mendoj dhe jam i bindur që të dyja ekipet janë për në Superiore. Si Tirana ashtu edhe Bylisi kanë diferenca me skuadrat e tjera të grupit dhe janë të denja për të luajtur në elitë. Mendoj se duhet që të ngjiten dy ekipe në Superiore, sepse kështu edhe rivaliteti mbtetet i hapur deri në fund për vendin e parë”.