Disa lojtarë të stolit kërkojnë sistemim diku tjetër, pasi kanë marrë oferta nga Kategoria e Parë
Olsi Avdiaj
Tirana është në krye të kampionatit të Kategorisë së Parë, grupi B, por në janar mund të përballet me largime, si luksi dhe të pakënaqurish. Nëse largimet e luksit janë ato të Junus Sentamus, Toni Mauexhes, Albi Dokës e Erjon Hoxhallarit, të tjerë duan të ikin, sepse janë të pakënaqur nga qëndrimi në stol. Dhe të thuash që Tirana ka një ekip të dytë, emrat e të cilëve mund të luajnë titullarë. Disa nga futbollistët shqiptarë të stolit bardheblu janë duke kërkuar një zgjedhje që të mos qëndrojnë në pankinë. Po mundohen të gjejnë ekipe si në Kategorinë Superiore dhe të Parë. Për momentin janë disa futbollistë që duan të ikin, emrat e të cilëve nuk po zbulohen për shkak të mos prishjes punë në bisedimet me skuadrat e mundshme të janarit.
Lojtarë që nuk kanë luajtur pothuajse fare. Në lojë për të marrë futbollistët bardheblu, që janë të pakënaqur mbeten vetëm skuadrat e grupit A. Në fakt, bardheblutë kanë vendosur që ata lojtarë që do të largohen në janar, nuk do të shkojnë në asnjë ekip të grupit B. Futbollistët që do largohen do të kalojnë ose në grupin A, ose në Superiore. Për momentin ekipet që kërkojnë shërbimet e lojtarëve të Tiranës janë Kastrioti, Besa apo ndonjë skuadër tjetër.
Drejt Afrikës për afrime – Nuk janë vetëm largimet. Tirana është duke menduar të afrojë disa lojtarë në ekip. Bëhet fjalë për futbollistë që vinë nga Afrika. Në plan të parë është një mesfushor dhe një sulmues. Kenet Munuga është emri më përmendur. Sërish bardheblutë do të bëjnë një ofertë për lojtarin që kërkon të ikë nga Gor Mahia. Burime zyrtare pranë klubit bardheblu bëjnë me dije se për futbollistin do të ofrohet një shumë e caktuar, por Tirana është shumë larg 350 mijë eurove që kërkoi skuadra keniane në verë. Lojtari është një njohje e vjetër e trajneri Ze Maria. Ai është shpallur në 2016-ën si mesfushori më i mirë i kampionatit kenian. I lindur më 6 janar 1996 në Kenia dhe skuadra e parë e tij është Uestern Stima. Futbollisti është një nga titullarët fiks të skuadrës Gor Mahia. Është vetëm 21 vjeç, megjithatë që pas transferimit te Gor Maria ai shkëlqeu. Po kështu, keniani është dalluar për performancën e tij. Futbollisti pritet të zëvendësojë Mervejlin në pozicionin, që mbante kongolezi në fushën e lojës. Sipas Ze Marias, ky futbollist është shumë i aftë dhe pritet të kthehet në një “xhevahir” tjetër për bardheblutë. Për sulmuesin është duke punuar Hektor Çomo, që punon për Tiranën në Afrikë.