Safet Gjici e ka ndjekur takimin së bashku me administratorin e Vllaznisë, Astrit Gjyrezin. Para ndeshjes ka zbritur dhe ka qëndruar në fushë për disa minuta, ndërsa mjaft i tensionuar dhe i mërzitur ishte gjatë ndeshjes. Mbaroi paketën e tij të cigareve dhe kërkoi një tjetër nga shoferi i tij. Në pushim, si zakonisht, ka zbritur në dhomat e zhveshjes për të folur me të tijtë, duke u kërkuar fitoren. Pas ndeshjes, ka shtrënguar duart me Gjyrezin dhe është larguar pa komunikuar me askënd.
– Hasani zbriste në Kukës si “ish” dhe tifozët e kanë pritur mjaft mirë. Kur po bëhej gati të fillonte ndeshja, një nga tifozët i tha: “Edon, ke ngatërruar fushën, ne jemi në krahun tjetër. Paske ngatërruar edhe fanellën”. Humor në tribunë.
– Atmosferë pozitive për Gjokën, Markun dhe Hasanin, që kishin qenë më parë pjesë e Kukësit. Trajneri është përshëndetur me lojtarët e Kukësit, që i ka pasur sezonin e shkuar në drejtim, por edhe me tifozët.
– Në pjesën e dytë, Hasani ka humbur një rast dhe i gjithë stadiumi e ka duartrokitur, pavarësisht se dukej qartë dëshpërimi i mesfushorit shkodran.
– Edhe një herë u pa se fusha është në gjendje të mjerueshme dhe rrëzimet e lojtarëve ngjallnin jo pak frikë për dëmtime më serioze.
– Në dëmtimin e Çinarit u desh ndërhyrja e barelës. Kur po afroheshin punëtorët, disa nga lojtarët e Kukësit thirrën që të nxitonin, por spikati malazezi Kërkotiç, i cili në shqip dhe i revoltuar u tha: Më shpejt, më shpejt, nxitoni!
– Alijev, në çdo dëmtim të lojtarëve shkodranë, protestonte për vonesë dhe kërkonte të riniste loja sa më parë. Mjaft nervoz sulmuesi azer, i cili dje u kthye në formacion, por nuk i eci para portës kundërshtare, edhe pse u mundua shumë.
– Pak minuta para fundit, Kukësi kishte të drejtën për të ekzekutuar një goditje dënimi. Nga dëshira për të nxituar, në fushë ishin tre topa. Në një moment tjetër, kur topi doli jashtë stadiumit, ishte arbitri i katërt ai që vonoi lojën.