“Zemra më tha Shqipëri, ndoshta vjen edhe im vëlla”

Astrit Ajdareviç, që do të vishet kuqezi, ka dhënë një intervistë për “Zona Gol” në Supersport, teksa është pyetur për shumë tema dhe mes tyre kurioziteti i mbiemrit të tij. Ajdareviç, që është dukur mjaft i emocionuar nga zëri, u shpreh vërtet i lumtur.

Grumbullimi me ekipin Kombëtar?

Ka qenë një kënaqësi. Të gjithë të afërmit i kam të shpërndarë nëpër Europë dhe padyshim që është kënaqësi.

Astrit Ajdareviç, pse ky mbiemër?

Veç ne e kemi mbiemrin Ajdareviç, pjesa tjetër e ka bërë Hajdari. Ne e kemi mbajtur këtë mbiemër prej futbollit, pasi edhe ai luante.

Më në fund, vishesh kuqezi…

Kombëtarja ka qenë vetë zgjedhja ime. Jam i kënaqur, kam pritur shumë që kjo të ndodhte dhe tashmë u bë realitet.

Përse zgjodhe fanellën e Shqipërisë?

Vendosa sepse kam pritur shumë kohë, jam menduar shumë. Kam menduar me zemër dhe tashmë është bërë realitet. Ishte zgjedhje zemre.

Kur ka nisur komunikimi me FSHF?

Kam folur përpara dy apo tre muajve, më shfaqën interesin. Tashmë e kam vendosur për Shqipërinë.

Ke qenë në Shqipëri?

Do të jetë hera e parë, nuk kam qenë asnjëherë në Shqipëri.

Afrimi i shumë lojtarëve të tjerë një shtysë?

Kur rritesh diku jashtë, nuk është e lehtë. Jam rritur në Suedi dhe nuk kam pasur shumë kontakte në Shqipëri apo Kosovë. Për çdo vit kam dëgjuar më tepër, jam interesuar më tepër. Jam rritur në Suedi por jam Shqiptar. Kur isha në Lojërat Olimpike me Suedinë, i thoja të gjithëve që jam shqiptar.

Njohja me Berishën?

Nuk kam folur me Etritin, por e njoh shumë mirë, kemi luajtur kundër dhe i kam shënuar disa gola.

Pozicioni natyral në fushë?

Luaj mesfushor ofensiv.

Pse nuk jeni thërritur më parë, apo s’keni qenë në formë?

Nuk ka qenë se nuk kam qenë në formë, por të them të drejtën asnjëherë nuk më kanë kontaktuar nga Shqipëria. Të gjithë e kanë ditur që jam shqiptar, por nuk më kanë dhënë asnjë sinjal.

Te AEK-u, shoqëri me Kasamin?

Me Pajtimin kam luajtur te Liverpuli, e kam shok të ngushtë.

Si ndihesh si shqiptar te AEK?

Nuk e ndjej shumë. Shoh punën time, unë luaj futboll dhe nuk merrem me politikë.

Vëllai Alfredi te Orebro, do të vishet kuqezi?

Alfredi ka qenë me skuadrën Shpresa përpara 4-5 muajve. Kanë luajtur ndeshje në Shqipëri, ndaj Kukësit apo Skënderbeut. Ndoshta vjen edhe ai te Shqipëria në të ardhmen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *