Ndryshimi i stafit, problematikat e kuqebluve dhe gjithçka ndodh te shkodranët: Selimaj “hapet” para gazetarëve dhe kërkon fitoren me kampionat
Gaspër Marku
Erind Selimaj është rikthyer titullar te Vllaznia, teksa trajneri Gjoka i besoi mbrojtjen e kuadratit në ndeshjen me Partizanin, gjë që pritet të ndodhë edhe në Kukës. “Gardiani” shkodran ka dalë dje para mediave dhe i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, teksa ka shprehur hapur synimin e kuqebluve për të dalë me pikë nga “Zeqir Ymeri” ditën e diel. Ndryshimi i sjellë nga trajneri Gjoka, informacionet që ai ka për Kukësin janë një tjetër tematikë e diskutuar me Selimajn në konferencë për shtyp. Sfida me Shtubinën është e veçantë, ndërkohë që Selimaj “kyç” portën.
Selimaj, si paraqitet gjendja e ekipit para takimit me Kukësin?
Gjendja e ekipit është e mirë, po vazhdojmë përgatitjet intensive dhe besojmë se do të shkojmë për një rezultat pozitiv në Kukës, duke e arritur një gjë të tillë. Kam bindjen e plotë se do të bëjmë kthesën në këtë ndeshje.
Vazhdimisht nga kampi kuqeblu kërkohen rezultate pozitive jashtë fushe, por në Shkodër akoma nuk është arritur një gjë e tillë. Pse ndodh kjo?
Gjithmonë tentojmë për të mirën, sepse futbolli i tillë është dhe merr një rezultat ndoshta aty ku nuk e pret dhe humbet aty ku duhet të fitosh. Por, ne besojmë tek ekipi, stafi, puna, tek përgatitjet që bëjmë për të arritur një rezultat pozitiv.
Ku mendoni se është ngërçi i Vllaznisë në këtë moment, sepse ekipi nuk është pa kualitete?
Për mua ngërçi në këto momente është në aspektin psikologjik më shumë, tek trysnia e madhe për të fituar ndeshjen që na bën që të na çalojë puna, tek besimi që kemi për njëri-tjetrin. Duke tentuar të japim më të mirën, ndoshta bëjmë gabime që nuk duhet të ndodhin. Kjo është ajo ana psikologjike, besoj unë.
Stafi që drejton sot Vllazninë, me në krye trajnerin Gjoka, e njeh mjaft mirë kundërshtarin. Ju ndihmon një gjë të tillë? Ua ka shprehur këtë profesori?
Kemi që në fillim të javës që mendojmë për Kukësin. Profesor Gjoka çdo ditë dhe çdo moment na tregon se si duhet ta mposhtim Kukësin, ku janë pikat e forta dhe pikat e dobëta të këtij ekipi. Ai e njeh mirë këtë skuadër dhe besoj më mirë se çdo trajner tjetër.
Ka shumë “ish” nga të dyja skuadrat, në fushë dhe në pankinë, por të flasim për Shtubinën, ish-kapitenin tuaj të sezonit të kaluar që të dielën do ta keni përballë në fushën e lojës…
Kur luan kundër një shoku që ke patur për shumë vite te Vllaznia ndjen emocione. Por në këtë rast luan Kukësi dhe Vllaznia, jo Selimaj dhe Shtubina. Unë do të jap më të mirën për Vllazninë, ndërsa Shtubina për vete. Kam respekt unë dhe skuadra për këtë lojtar, për atë që ka dhënë për këtë fanellë, por tashmë është një “ish” që duhet ta mundim.
Një gol nga ana e tij ndoshta ju dhemb më shumë, apo jo?
Çdo gol dhemb, nuk ka rëndësi se kush e shënon golin, por kush e pëson golin. Vllaznia është për të mos pësuar gol dhe kështu do të ndodhë edhe në Kukës patjetër. Nuk ka rëndësi se kush e shënon, megjithatë unë dhe kolegët e mi do ta ruajmë portën që të mos pësojmë. Shpresoj që të marrim një rezultat pozitiv.
Do të kënaqeshit edhe me një barazim në këtë ndeshje?
Duke pasur parasysh kualitetin e Kukësit, edhe barazimi futet tek rezultati pozitiv. Por ne në këtë takim do të shkojmë për fitore dhe shpresoj që të marrim një rezultat pozitiv, qoftë një pikë apo tre pikë. E rëndësishme është që të mos kthehemi pa pikë në Shkodër.
Do të ketë lëvizje në formacion, apo do të vijojë Gjoka t’i besojë atyre që luajtën ndaj Partizanit?
Këtë e di më mirë trajneri, pasi është kompetencë e tij. E rëndësishme është që kushdo prej nesh që do jetë në fushë të japë më të mirën.
Selimaj, nga e enjtja në të enjte, plot një javë punë me stafin e ri. Cili është ndryshimi?
Ndryshimi, besoj që sa herë ka një gjë të tillë, shpresohet të sjellë anë pozitive. Besoj se ashtu ka ndodhur. Ne këtë e shikojmë pasi ndihemi më mirë në aspektin psikologjik, ku edhe kemi më shumë nevojë. Shpresoj që të japë me rezultate pozitive frytet e veta.
Me teknikun Cungu patët një ngërç përsa i përket aktivizimit tuaj, por ardhja e teknikut Gjoka ju konfirmoi sërish në portë. Rivalitetin me Sherrin, si e shikoni?
Porta ka një specifik të veçantë. Ka momentet e mira dhe momentet e këqija. Unë do të kërkoj të jap më të mirën kur të më jepet mundësia. Shpresoj që të jap më të mirën sa herë do më jepet mundësia që të luaj. Rivaliteti të jep gjithmonë mundësi për të bërë diçka më tepër, si në karrierë, ashtu edhe në anën profesionale për t’i shërbyer sa më mirë ekipit. Kushdo që do të luajë, do të luajë për të mbrojtur portën e Vllaznisë.
Tekniku Gjoka është shprehur optimist për rritjen e skuadrës në nivelet e më të mirave. Ju ku e shikoni Vllazninë, për mbijetesë apo për më lart?
Ne nuk kemi një ekip për mbijetesë, por ndoshta ngërçi psikologjik që kemi kaluar tanimë dhe mungesa e rezultateve kanë bërë të tjerë persona që janë jashtë klubit të mendojnë se ne të jemi për mbijetesë. Besimi është i plotë që ne të mos diskutojmë mbijetesën, pse jo të arrijmë në Kupat e Europës apo te trofeu i Kupës. Për këtë futbolli është i bukur dhe kjo të bën që të futesh në çdo takim për rezultate sa më të mira.
Apeli juaj për tifozët?
Kur jemi keq kërkojmë më shumë mbështetje nga ato. Ato kërkojnë më të mirën prej nesh, por ne në këto momente na duhet mbështetja e tyre në çdo fushë, jo vetëm në Shkodër, që do të thotë se i presim të jenë prezent edhe në stadiumin e Kukësit.