Trajneri beratas mund të marrë drejtimin e skuadrës myzeqare, që e ka drejtuar edhe më parë. Por ende nuk ka një konfirmim zyrtar nga klubi
Arjan Likja
Kanë kaluar disa ditë nga dorëheqja e trajnerit Artan Bano dhe Lushnja ende nuk ka një trajner të ri në stolin saj, kur ndeshja me Teutën është në prag. Drejtuesit e skuadrës verdhejeshile nuk kanë arritur të konkludojnë në një marrëveshje për njeriun, që do të marrë përsipër të drejtojë Lushnjën në vazhdim të kampionatit me objektivin për ta mbajtur atë në Superiore. U fol në fakt dhe për një rikthim të mundshëm të Banos në stol, sidomos pas kërkesës së disa titullarëve të skuadrës, që janë shprehur se përgjegjësia për rezultat e dobëta nuk është vetëm e trajnerit. Por nga klubi ky variant është hedhur poshtë.
KRISTAQ MILE – Së fundi është shtuar edhe një emër si kandidat për të qenë trajneri i ri i Lushnjës. Ai është Kristaq Mile, trajneri beratas që në fakt e ka drejtuar edhe më parë Lushnjën dhe e njeh ambientin te kjo skuadër. Më parë është përmendur edhe emri i Artion Poçit, ndërsa drejtuesit e klubit lushnjar janë shprehur se nuk do të përmendin asnjë emër deri në momentin që të kenë një marrëveshje zyrtare. Nga burime të besueshme pranë gazetës mësohet se ka pasur kontakte me Milen dhe sot mund të ketë zhvillime të reja, por për momentin ai mbetet një kandidat. Vendimin përfundimtar do ta marrë kryebashkiaku Fatos Tushe, i cili është drejtuesi kryesor për skuadrën e futbollit. Mile ka drejtuar disa skuadra në karrierën e tij, siç janë Tomori, Lushnja, Shkumbini, Teuta, Bylisi dhe Kastrioti. Aktualisht është i lirë dhe ardhja e tij në krye të Lushnjës duket plotësisht e mundshme, por duhet pritur.
CANKA – Lushnja vazhdon stërvitjen ndërkohë nën drejtimin e ndimëstrajnerit Dritan Çuko dhe të përgatitësit atletik Llazar Gjika. Grupi i lojtarëve është i angazhuar për të kërkuar vetëm fitoren në ndeshjen me Teutën. Sulmuesi Mikel Canka ka besim se po vjen momenti për fitoren e parë në kampionat: “Dorëheqja e trajnerit ishte e papritur për ne, ashtu si dhe paraqitja e dobët që bëmë ndaj Laçit. Ne si futbollistë nuk duhet të shpërqendrohemi nga lëvizja e trajnerëve, por duhet të ulim kokën dhe të japim maksimumin në stërvitje, duke u përgatitur sa më mirë për ndeshjen e radhës. Po punojmë me ndimëstrajnerin Dritan Çuko, i cili është një njohës po aq i mirë i ekipit sa dhe Artan Bano, pasi kanë mbi 6 vjet që punojnë bashkë. Mendoj se ekipi po stërvitet mirë dhe të gjithë futbollistët kanë reflektuar pozitivisht dhe e ndjejnë përgjegjësinë e situatës. Fitorja ndaj Teutës është detyrim ndaj drejtuesve tanë dhe ndaj tifozërisë lushnjare. Do të mundohemi të themi fjalën tonë në fushën e lojës dhe besoj se ka ardhur momenti të regjistrojmë fitoren e parë në këtë kampionat. Duhet të zbatojmë me përpikëri çdo detyrë që do të na ngarkohet. Kam shumë shpresa për 3 pikët. Një rezultat tjetër do të ishte gabim i pakorrigjueshëm për Lushnjën”, – ka thënë mes të tjerash sulmuesi lushnjar, Mikel Canka.