Pogradecari i Luftëtarit vlerëson maksimalisht Skënderbeun, por shprehet se skuadra e tij do të kërkojë pikët me ngulm në këtë transfertë
Gëzim Beqiri
Humbja e thellë me Kukësin ishte një goditje e rëndë për gjirokastritët, të cilët nuk po dalin dot nga kriza e rezultateve negative, madje as në fushën e tyre. Për këtë u bë edhe ndryshimi në stol, ku tashmë është ulur Hasan Lika. Te Luftëtari janë të bindur se meritojnë shumë më shumë se renditja aktuale dhe besojnë se kthesa do të vijë, pse jo që këtë fundjavë me Skënderbeun në Korçë.
ZGURO – “Luftëtari do të jetë surpriza e javës në ndeshjen ndaj Skënderbeut, edhe pse luajmë në transfertë. Nuk shkojmë të humbasim, por do të luajmë ndeshjen më të mirë të sezonit dhe kjo do të reflektojë në rezultat. Do të rikthemi fuqishëm te rezultati pozitiv, sepse nuk e meritojmë të jemi në këto nivele. Të penalizohesh nga gjykime amatoreske, siç ishte ky i fundit, nuk është aspak e ndershme. Duhet të ketë më shumë përgjegjësi dhe profesionalizëm nga gjyqtarët. Gjyqtari Koçi nuk e njeh rregulloren dhe nga kjo gjë më shumë është penalizuar Luftëtari. Jemi penalizuar fillimisht nga një gol, që çoroditi futbollistët në fushë. Ka pak rëndësi, nëse do të jem titullar në ndeshjen e së shtunës, e rëndësishme është fitorja e ekipit. Për të qenë i sinqertë, një pikë ndaj korçarëve do të hidhte pas krahëve rezultatet negative të javëve të fundit. Të flasësh për Skënderbeun në këtë moment është e tepërt, sepse është një ekip që e tregon veten në fushë me gjithçka që po bën. Një kundërshtar që është përballur si i barabartë me kundërshtarë të fortë edhe në Europa League. Duhet respektuar maksimalisht. Por kjo nuk do të thotë se nga transferta korçare do të dalim pa pikë”, – tha dje mes të tjerash futbollisti pogradecar i Luftëtarit, Vangjel Zguro.
STËRVITJA – Në pritje të takimit të së shtunës, gjirokastritët vijojnë përgatitjet me dy seanca në ditë. Në orën 9:00, nën drejtimin e përgatitësit atletik Kosta Koltsidas, ata janë përgatitur dje në sallën e forcës, kurse seanca e pasdites është zhvilluar në terrenin sportiv të “Fushës së vjetër”. Pjesa më e madhe e stërvitjes së pasdites ka qenë me veprimet me topin, ku lojtarët kanë pasur në mes trajnerin Hasan Lika, i cili e ka javën e parë që stërvit rregullisht Luftëtarin. Ai po ndryshon diçka në mënyrën e lojës, pasi në të shumtën e kohës është marrë me diskutimin me futbollistët sa herë që ata viheshin në zotërim të topit. Nga mënyra e vendosjes u pa një ndryshim taktik. Për aq kohë sa u zhvillua një lojë midis dy skuadrave, në grupin e më të mirëve u pa një sulm me tre futbollistë.