Dëmtimet sikletosin Kukësin, Hallaçi rrezikon Vllazninë

Dëmtimet janë shqetësimi më i madh i Kukësit. Nëse kampionët kanë gjetur vazhdimësinë me rezultate pozitive dhe lojën e bukur, dëmtimet nuk po u ndahen javë pas jave. Veç Shametit, Zeqirit dhe Musollit, edhe kapiteni Hallaçi u dëmtua në ndeshjen me Luftëtarin. Siç bëhet me dije kapiteni i Kukësit është në diskutim për ndeshjen me Vllazninë dhe për të do të vendoset në ditët e ardhshme. Në krahun tjetër Zeqiri nuk do të jetë i gatshëm as për këtë ndeshje, por me Flamurtarin me shumë gjasa do të jetë në dispozicion. Në krahun tjetër Shameti duhet të ketë dhe disa ditë terapi por duket shumë e vështirë që të luaj në ndeshjen e kësaj të diele.

Disi më e mirë duket situata për Musollin që sot do të nisë me vrapimet, megjithatë edhe për të do të jetë stafi mjekësor që do të thotë fjalën e fundit. Mesfushori nga Podujeva me shumë gjasa do të jetë i gatshëm për ndeshjen me shkodranët, por vështirë se mund të jetë 90 minuta në fushë. Shqetësime ka pasur dhe malazezi Kërkotiç, i cili ka një problem në kofshë dhe ka nisur terapinë, por asgjë shqetësuese për të, pasi do të jetë 100% në dispozicion të skuadrës për ndeshjen e javës së 8-të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *