Tirana likuidon edhe Turbinën. Një 2-0 i thatë me Ngonë e Grecën që koleksionojnë fitoren pestë të bardhebluve. Një ndeshje pa shumë histori përsa i përket rezultatit, ndërsa për lojën Tirana vuajti në pjesën e parë ndaj një Turbine me emra shumë të njohur edhe në Superiore, por që rezistoi vetëm 45 minuta. Gjithsesi, Tirana ia del, pasi në pjesën e dytë bie fizikisht dhe taktikisht kundërshtari. Bardheblutë në fund kënaqen me tri pikët dhe kreun e renditjes.
Ndeshja – Ashtu siç u parashikua edhe para sfidës së djeshme, jashtë ishte Ilion Lika, ndërsa në vend të tij luajti portieri Abibi. Vendin e Mauexhes e kishte zënë Qilimi, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës ishte e pandryshuar. Në krahun tjetër Turbina kishte në përbërje emra të njohur të futbollit shqiptar, duke filluar nga Roshi, Gërxho e Bakiu. Në fillim ndeshja është e qetë dhe Tirana si çdo takim e nisi shumë lehtë, por u përball me “murin” e Turbinës. Doka pason për Ngonë në qendër që godet menjëherë, por bllokohet nga mbrojtja mike, ndërsa Karabeci gjuan, por vetëm jashtë. Për të parë rastin e dytë duheshin pritur 27 minuta lojë dhe pas një inkursioni të Sentamus, ugandezi mundohet të godasë, por bllokohet, ndërsa Karabeci gjuan, por topi shkon ngjitur me pingulen e portës së Turbinës. Rasti i vetëm, por shumë pranë golit për miqtë nga Cërriku, erdhi një minutë nga fundi i pjesë së parë, teksa Roshi godet nga 20 metra, Abibi në topin e parë që prek çon sferën në goditje këndi. Në vazhdim të aksionit Peqini godet me finte, por bllokon portieri një tjetër gol të sigurt. Një minutë pas kohës së rregullt është Sentamu që ka një shans për gol, por nuk shënon dot. Pjesa e parë mbyllet e bardhë, ndërsa në pjesën e dytë vijnë edhe golat. Në minutën e 58-të Kërçiku hedh një top në zonë te Doka, që e kalon sferën më pas te Ngo, i cili me kokë godet dhe 1-0. Gërxho proteston për një faull të anglezit, por ndëshkohet me karton të verdhë. Pas golit, anglezi lë fushën e lojës, ndonëse për të është goli i katërt në kampionat. Shtatë minuta më vonë bardheblutë dyfishojnë rezultatin me anë të Grecës. Kundërsulm i Tiranës, Sentamu pason për Grecën, që i vetëm merr topin, ecën përpara dhe kalon portierin. Me portën bosh shënon golin e dytë për bardheblutë. Ndeshja nuk ka më histori. Deri në minutën e 87-të loja zhvillohet në mesfushë, ndërsa në fund të lojës Karabeci dhe Sentamu kanë nga një shans për gol. Gjithsesi, takimi Tirana-Turbina mbyllet me fitoren e vendësve 2-0, që me këtë tri pikësh ngjitet në kuotën e 15 pikëve. Bardheblutë pritën gjatë, ndërsa tashmë kryesojnë me 4 pikë avantazh nga Bylisi dhe javën e ardhshme përballen me Tomorin, një ndeshje ku duhet fituar medoemos.
Tirana – Turbina 0-2
Shënues: Ngo 58′, Greca 65′
Tirana: Abibi, Turtulli(Çelhaka 81′), Uellison, Kërçiku, Hoxhallari, Karabeci, Qilimi(Vrapi 60′), Daja, Doka, Sentamu, Ngo(Greca 59′). Në dispozicion, Shehri, Bishaj, Nuriu, Bardhi. Trajner: Ze Maria
Turbina: Malaj, Baçi, Peqini, Agalliu, Taullau(Shketa 83′), Gërxho, Roxhi, Tektash(Sallaku 53′), Doda, Gazheli(Sina 87′). Në dispozicion, Demollari, Dollani, Allamani, Cami. Trajner: Sinan Bardhi.
Gjyqtarë: Indrit Myrtja, Melis Dervishi, Sonil Zeka, Bekris Dragusha
Kartonë të verdhë: Turtulli 64′, Vrapi 76′ / Roshi 50′, Gërxho 59′
Bardhi: Tirana e papërmbajtshme, fitorja e saj më gëzon
Sinan Bardhi, trajneri i Turbinës ka folur pas ndeshjes me Tiranën. Sipas Bardhit, skuadra e tij bëri të pamundurën: “Jam tifoz i Tironës, pasi kam luajtur për këto ngjyra. Në këtë 90 minutësh kisha edhe hidhërimin edhe gëzimin brenda. Jo unë që kam kontribuar për Tiranën, por shumë sportdashës të ekipeve të tjera, duan që të kthehet sa më shpejt në Superiore. Jam i kënaqur nga loja, sidomos në 45 minutat e para. U munduam që të zbatonim detyrat taktika dhe ia arritëm qëllimit. Në të dytën ndamë detyrat për të qenë edhe më sulmues, por u ndëshkuam. Goli i parë ishte aksidentalisht, por edhe për aftësi të sulmuesit të bardhebluve. Në përgjithësi jam i kënaqur me skuadrën, nuk kam çfarë t’i kërkoj më shumë. Synojmë që të mbyllim dy fazat e para në pesëshen e parë. Me grupin dhe gjendjen, misioni është i realizueshëm. Nga java tjetër do vijnë edhe pikët”.