Për të mos u shpërqendruar, te skuadra vlonjate preferojnë të mos flasin para ndeshjes së nesërme,e dhe pse nuk ka një vendim për heshtje shtypi
Elton Nika
Qetësi absolute në Vlorë. Para ndeshjes me Kamzën, që luhet ditën e diel në stadiumin Flamurtari, është menduar që lojtarët të jenë sa më të qetë. Duke iu referuar situatës së fundit, kur skuadra e drejtuar nga trajneri Shpëtim Duro ka vuajtur nga gjykimi dhe nuk ka marrë që i ka takuar në fushën e blertë, te kuqezinjtë kanë zgjedhur të punojnë në heshtje. Ka pasur vendime nga gjyqtarët në dëm të skuadrës vlonjate, që i kanë kushtuar asaj jo pak, madje është bërë edhe baltë, me 4 penallti kundër në 6 javë, ndaj dhe çështja e gjykimit është bërë hall më vete te Flamurtari.
Për takimin e nesërm me Kamzën vlonjatët llogarisin vetëm 3 pikët, edhe pse e dinë shumë mirë se nuk do të jetë aspak e lehtë, aq më tepër duke parë ecurinë e kundërshtarit, që në këto 6 javë ka arritur rezultate vërtet të mira. Për këtë arsye lojtarëve u është kërkuar të jenë larg vëmendjes së shtypit, larg deklaratave në media, por të përqendrohen te puna e tyre në fushën e stërvitjes për të marrë maksimumin përpara tifozëve vlonjatë. Në fakt, nuk është një heshtje për shtyp, por thjesht një vendim me qëllimin që lojtarët e Flamurtarit të mos shpërqendrohen. Ndeshja e radhës ka rëndësi të veçantë për ecurinë e skuadrës dhe pas tri barazimeve radhazi duhet fitorja, pavarësisht faktit se si do të jetë gjykimi këtë herë në Vlorë.
GJYKIMI – Flamurtari vjen pas tri barazimeve me Luftëtarin në shtëpi dhe Vllazninë dhe Laçin në transfertë. Kuptohet që kuqezinjve u ka takuar më shumë, sepse realisht kanë dhënë më shumë në fushë se rezultatet që kanë marrë. Por ajo që ka ikur nuk kthehet pas dhe lojtarët e dinë mirë se ndeshja me Kamzën është delikate. Do të synohen tri pikët me çdo kusht, sepse në të kundërt Flamurtari mbetet prapa zonës, së kreut. Kundërshtari, edhe pse vjen nga një kategori më poshtë, ka treguar në 6 javët e para se di të luajë futboll dhe të marrë rezultat. Futbollistët janë mundur të përgatiten sa më mirë për këtë ndeshje dhe të tregojnë në fushë vlerat e tyre më të mira, aq më tepër që luajnë para tifozëve të tyre. Duke pasur qetësinë e duhur psikologjike, mendohet se lojtarët e Flamurtarit do të bindin me lojë dhe me rezultat në ndeshjen e nesërme. Deklaratat kundër gjykimit nga kampi vlonjat mund të ndikojnë tek ata që do të gjykojnë ndaj Kamzës dhe për këtë arsye është menduar se është më mirë që ekipi të qëndrojë në qetësi. Brenda skuadrës ka besim se Flamurtari do të fitojë dhe do të qëndrojë në pozita pretenduese për një vend në Kupat e Europës.