Xhaka: Trajneri më kërkon të gjuaj, ishte dita ime

Taulant Xhaka njihet si “luftëtar”, “motor” e shumë përkufizime të tjera, por jo si golashënues. Goli i parë ndërkombëtar në karrierën e vet në nivel klubesh erdhi në momentin perfekt: galop nga mesfusha dhe një predhë që shtangu CSKA-në. 1-0 pas 29 minutash dhe Bazeli mori pikë të arta në Rusi, duke shënuar edhe golin e dytë në shtesë, këtë radhë me asist nga Taulanti.

Mesfushori kuqezi ishte personazhi i mbrëmjes dhe pas ndeshjes deklaroi: “Trajneri më tha që të provoja më shpesh të gjuaja nga distanca. Kam gjithë javën që bëj stërvitje për gjuajtjet dhe sot më në fund më eci. Ishte dita ime”. Ashtu si trajneri, Xhaka e cilësoi fitoren në Moskë si “një paraqitje prej një skuadre të pjekur”, por koha për festë ka mbaruar shumë shpejt, sepse të shtunën Bazeli ndeshet me Tunin në kampionat.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *