Mezani: Barazim i merituar, përtej gabimeve të arbitrit

Trajneri i Laçit, Gentjan Mezani, ka pasur përballë Flamurtarin, ku ka nisur karrierën si trajner profesionist, por sot e ndali te barazimi me Laçin. Për Mezanin pika ishte e merituar, pavarësisht se pranon se Flamurtarit i takonte një penallti.

“Kisha emocione të mëdha, pasi e kam thënë që Flamurtari është pjesë e imja, kam dalë prej aty, por jam profesionist dhe mendoj për Laçin. Flamurtari ka një skuadër shumë cilësore dhe na vuri në vështirësi, por mendoj se ishte një barazim i drejtë.

“Flamurtari pretendoi për dy penallti? Mendoj se pretendimi i parë nuk ishte, i dyti jam dakord, mund të jepej 11 metërsh.

“Jam shumë i kënaqur nga loja e skuadrës sime, luajtëm më mirë sesa në ndeshjen me Skënderbeun. Skuadra do të rritet, është shumë e re dhe duhet të çlirohet në lojën e saj. Ne duhet të mësojmë të luajmë 90 minuta, sepse e nisim ngadalë dhe falim një pjesë loje, por ndeshjet nuk nisin në minutën e 46-të. Eskerda? Ka ardhur me vonesë, është ende duke arritur formën fizike, por është një lojtar shumë cilësor dhe do të na ndihmojë shumë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *