Sulmuesi i Kukësit: Pak rëndësi ka kush shënon, e rëndësishme që skuadra të fitojë. Nuk duhet të varemi nga dëmtimet
Jurgen Zela
Kukësi arriti që të triumfonte 2-0 në fushën e Lushnjes, me jo pak vështirësi. Veç gëzimit së tre pikëve, kampionët buzëqeshin dhe për faktin se pas pesë javësh dy sulmuesit kryesorë të ekipit arritën që të zhbllokoheshin, me Gurin dhe Alijevin që festuan golat e parë sezonalë. Pas ndeshjes, sulmuesi shkodran Sindrit Guri ka folur për “Sport Ekspres”, teksa ka komentuar fillimisht ndeshjen me Lushnjen: “Jam shumë i lumtur që arrita të shënoja. Po ashtu jam akoma më i lumtur që skuadra arriti të fitonte, pasi luanim në një transfertë të vështirë si ajo e Lushnjes. Ishte ndeshja e parë që luanin në shtëpi dhe kishin publikun, që ishte një plus i madh për ta. Kishin favore shumë, ndaj mund të them se ishte një përballje e vështirë”.
23-vjeçari tregon se ishte mjaft e rëndësishme që ai dhe Alijev të zhbllokoheshin, megjithatë tani Guri synon që skuadra t’i zgjidhë ndeshjet që në pjesën e parë dhe jo t’i lërë për në fund, kur presioni normalisht është më i madh: “Ne ia dolëm që të zhbllokonim rezultatin falë golit tim dhe shënuam dhe golin e qetësisë me Alijevin, i cili u zhbllokua ashtu si unë. Uroj që të vazhdojmë me këtë ritëm, të lëmë pas krahëve ndeshjen me Skënderbeun. Të shohim dy ndeshjet e radhës, pasi duhet përqendrim maksimal. Duhet që të reagojmë që në pjesën e parë, pasi vetëm në pjesën e dytë kemi shënuar në këto ndeshje, duke përjashtuar golin me Skënderbeun. Kjo është ajo që duhet të bëjmë në ndeshjet e ardhshme”.
Mungesat nuk po e lënë të qetë Kukësin, teksa edhe përballë verdhëjeshilëve kishin shumë mungesa. Pavarësisht kësaj, autori i golit të parë thekson se një skuadre për titull nuk duhet të varet nga dëmtimet: “Përballë Lushnjes kishim shumë mungesa me Shametin, Zeqirin që mungonin, por dhe Bakaj nuk ishte plotësisht gati. Gjithsesi ne arritëm të fitonim, por presim që dhe ata të kthehen në ndeshjet e ardhshme dhe të bëjmë më të mirën ndeshje pas ndeshje. Nuk duhet të varemi nga mungesat”.
Përballë myzeqarëve, arriti që të shënonte një supergol nga distanca, por për shkodranin e rëndësishme është që skuadra të arrijë sukses dhe jo ai që shënon: “Rëndësi ka që realizove. Uroj që të shënoj në vazhdimësi, pak rëndësi ka nëse shënoj nga distanca apo nga brenda zone. Për ne nuk ka rëndësi kush shënon, e rëndësishme është që skuadra të arrijë suksesin. Golin ia dedikoj familjes time që gjithnjë më qëndron pranë”, përfundoi shtatlarti i sulmit të Kukësit, Sindrit Guri.