Ngjarje e rëndë, por për fat e zgjidhur pa asnjë pasojë ajo që u verifikua mbrëmë në Izrael, ku luajti Spanja. Skuadra iberike fitoi 1-0 dhe në përfundim të ndeshjes ndodhi diçka e papritur: 6 tifozë arritën të futeshin në fushë dhe njëri prej tyre, me thikë në dorë, u drejtua nga Isko.
Për fat, thika i ra nga dora në vrap e sipër dhe ndërkohë forcat e rendit arritën ta ndalin, duke e arrestuar.
“Nuk ka pasur asnjë problem me organizimin e ndeshjes, masat e sigurisë ishin të shkëlqyera, gjatë dhe pas ndeshjes”, bën të ditur zëdhënësi i policisë në Jeruzalem.
Megjithatë, zëdhënësi harroi të komentonte futjen në fushë të personit të armatosur, ndërsa më vonë versioni zyrtar ishte që Isko nuk u vendos asnjëherë në rrezik real dhe gjithçka ishte nën kontroll.