Verdhjeshilët presin që me Kukësin të luhet në shtëpi, megjithatë ende nuk ka ardhur përgjigja vendimtare
Pas barazimit të marrë në ndeshjen e fundit me Partizanin, në Lushnje është rritur besimi se javët në vijim mund të sjellin të tjera rezultate pozitive. Ende nuk është arritur triumfi i parë, megjithatë të besuarit e Artan Banos do e synojnë diçka të tillë që në ndeshjen e radhës përballë Kukësit. Edhe pse përballë do të jenë kampionët në fuqi, do të synohet që të shfrytëzohet momenti i mirë, por mbi të gjitha shpresohet që ndeshja të luhet në “Roza Haxhiu”. Gjasat janë që takimi i javës së pestë për verdhjeshilët të luhet në stadiumin e qytetit, megjithatë ende nuk është marrë konfirmim zyrtar nga FSHF. Nesër pritet që gjithçka të zyrtarizohet, pasi siç bëhet me dije do të ketë një inspektim të fundit, për të vendosur nëse të gjitha ambientet e stadiumit janë gati që këtë javë. Një rikthim në shtëpi do të bënte që skuadra të kishte dhe mbështetjen e zjarrtë të tifozerisë lushnjare. Fakti që skuadra po vjen në rritje edhe tifozët janë shfaqur entuziastë në rrjetet sociale dhe kanë paralajmëruar që do të organizohen, për të mbështetur skuadrën. Edhe kundërshtari nuk është në momentin e tij më të mirë, ndaj do të kërkohet surpriza.