Trajneri Duro ka drejtuar dje stërvitjen dhe nuk ka pasur ndonjë ballafaqim me lojtarin brazilian, që mund ta kalojë me një gjobë të lehtë nga klubi
Elton Nika
Pas disa mungesave në stërvitjen e së martë, Flamurtari ka qenë më i plotë në stërvitjen e djeshme, në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen me Vllazninë. Me grupin është bashkuar edhe Franc Veliu, ndërkohë që duhet parë në vazhdim gjendja e mesfushorit Useini, por edhe Emiljano Mustës. Për mbrojtësin Franc Veliu, pavarësisht bashkimit me grupin, nuk do të thotë se është gati, sepse ai nuk është futur me ritëm të lartë.
Flamurtari ka tashmë një javë kohë për të menduar vetëm për takimin në Shkodër, ku do të kërkojë të harrojë sa më shpejt zhgënjimin e barazimit në shtëpi me Luftëtarin. Te vlonjatët ka edhe një çështje të hapur me sulmuesin Danilo Alvesh, për të cilin trajneri Duro ka thënë së fundit se do të zbatohet rregullorja e brendshme e klubit. Megjithatë, deri tani klubi vlonjat nuk ka dalë në ndonjë deklaratë lidhur me këtë çështje. Interesi është që gjithçka të harrohet sa më shpejt, sepse konflikti brenda skuadrës nuk i shërben askujt, përkundrazi, e përkeqëson situatën para një transferte shumë të vështirë. Mbetet për t’u parë, nëse Alvesh do të jetë apo jo titullar në Shkodër. Nëse nuk luan nga minuta e parë, do të thotë se qëndrimi në stol do të jetë ndëshkim për të.
GJOBA? – Në stërvitjen e djeshme, trajneri Duro dhe Alvesh kanë qenë përballë njëri-tjetrit, por stërvitja vijoi normalisht, pa pasur ndonjë diskutime mes tyre në lidhje me situatën e krijuar prej disa ditësh. Kuptohet që në ekip duhet qetësi, në mënyrë që përgatitjet për ndeshjen e radhës të jenë sa më efikase. Trajneri Duro ka vazhduar punën e tij, duke dhënë udhëzimet për grupin e lojtarëve, ndërsa braziliani i ka zbatuar ato si gjithë të tjerët. Para seancës ka pasur një fjalim nga trajneri i Flamurtarit para grupit të lojtarëve dhe më pas ka vazhduar puna normalisht. Tani pritet të mësohet vendimi i klubit, ku burime pranë gazetës nuk e kanë përjashtuar një gjobë të mundshme ndaj sulmuesit brazilian, për ta lënë me kaq.