Kurbelo: Luftëtari nuk pëson më, së shpejti do shihni edhe lojë të bukur

Trajneri i Luftëtarit, ose njëri prej tyre më saktë, Luis Kurbelo, ka folur në Supersport pas barazimit në Vlorë, duke mos e fshehur kënaqësinë e tij, pasi Luftëtari po rritet nga java në javë dhe tashmë nuk pëson më gol.

“E prisnim këtë start të mirë të sezonit dhe presim edhe më shumë se kaq nga Luftëtari. E kishim përgatitur mirë ndeshjen e sotme dhe erdhëm të merrnim 3 pikët. Ajo që më bën të ndihem mirë është se nga java në javë skuadra po rritet dhe po bën atë që kërkojmë prej saj. Flamurtari ishte paraqitur mjaft mirë në ndeshjen e fundit, por sot luajtëm si të barabartë dhe jam i kënaqur. Kemi luajtur 3 ndeshje jashtë fushe këtë sezon dhe skuadra po tregon që nuk është inferiore ndaj askujt. Sezonin e shkuar në 4 ndeshjet e para Luftëtari kishte pësuar 11 gola, ndërsa këtë sezon nuk kemi pësuar gol në 3 ndeshjet e fundit. Megjithatë, po punojmë edhe për të gjetur golin. Sot patëm 4-5 raste që nuk i shfrytëzuam dhe kjo duhet korrigjuar. Kemi luajtur vetëm 4 ndeshje, është kampionat mjaft i vështirë, ndaj ndeshjet duhen marrë një nga një dhe duhet shumë punë e durim.

“Problemi është se i kemi nisur përgatitjet me pak vonesë, ndaj edhe nuk e kemi pasur kohën për të punuar mbi cilësinë e lojës, por prej ndeshjes së ardhshme do të shihni një Luftëtar më të bukur.

Shkurtaj? Është një temë e mbyllur, nuk e kam llogaritur asnjëherë si pjesë të skuadrës, sepse deri në dhjetor nuk do të jetë në dispozicion. Nuk është problem, kemi lojtarë shumë të mirë përpara, ndërsa kur të kthehet Shkurtaj do të shohim”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *