Luftëtari para Flamurtarit, dilema për sulmin

Të gjithë lojtarët janë të gatshëm për ndeshjen me Flamurtarin dhe trajnerët uruguaianë duhet të vendosin për formacionin titullar

Gëzim Beqiri

Dyshja e trajnerëve të Luftëtarit, uruguaianët Fernandez-Curbelo, duke marrë më shumë informacion për futbollin shqiptar dhe sidomos për mënyrën e organizimit të Kupës së Shqipërisë, kanë menduar se ky trofe mund të fitohet, ndaj dhe Luftëtari ka pretendime serioze. Stafi teknik i Luftëtarit vlerëson të gjithë kundërshtarët, pa u ndikuar nga emri apo pozitat në tabelën e klasifikimit. Deri tani, të gjitha komunikimet me mediet janë bërë nga ndihmëstrajneri Luis Curbelo, i cili dje pasdite deklaroi: “Si ndeshjet e Kupës së Shqipërisë, edhe ato të kampionatit, do të marrin të njëjtën vëmendje nga ana jonë si staf. Të gjitha ndeshjet do të vlerësohen me seriozitet. Ndaj Elbasanit luajtëm me formacionin e dytë në të dy takimet, por ndaj skuadrave të tjera do të aktivizojmë një formacion ndryshe, me qëllim kalimin e tureve të tjera, duke filluar që ndaj Bylisit. S’mund të them se nuk e kemi objektiv Kupën e Shqipërisë. I vlerësojmë ndeshjet një e nga një në të dy frontet dhe hyjmë në fushë vetëm për fitore, pavarësisht kundërshtarit. Kemi zhvilluar lojë sulmuese edhe kur humbëm në Durrës apo kur barazuam ndaj Vllaznisë, por kemi pasur vështirësi në gjetjen e golit në ndeshjet e para. Më vjen mirë që kemi shënuar më shumë se e njëjta periudhë e sezonit të kaluar. Në dy takimet e fundit nuk kemi pësuar gol dhe kjo është e rëndësishme. Edhe golat nga java në javë do të vijnë. Skuadra ka më shumë nevojë për t’u përmirësuar në planin taktik, ndaj përveç mbajtjes si duhet të kondicionit fizik të futbollistëve, na duhet të përmirësojmë  lojën në grup. Futbollistët duhet të jenë më të përgatitur dhe të aftësuar në zbatimin e detyrave në planin taktik“.

STËRVITJA – Vazhdohet me dy seanca stërvitore, me ndryshimin ë futbollistët e aktivizuar në ndeshjen ndaj Elbasanit janë stërvitur vetëm pasdite. Tani të gjithë futbollistët janë të gatshëm për t’u aktivizuar ndaj Flamurtarit të shtunën dhe stafit teknik i duhet të qartësojë 11 lojtarët, që do të dalin të parët në fushë. Dilemë mbetet përzgjedhja e futbollistëve, të cilët do të përbëjnë repartin e sulmit dhe alternativa për një vend në formacion janë Lamçe dhe Nunjez, nëse do të luhet me skemën e zakonshme 4–2–3-1. Jo pa qëllim të dy ishin titullarë ndaj Elbasanit. Kishte dilemë për aktivizimin e Kristal Abazajt, i cili mungoi 2 ditët e fundit në stërvitje për të kryer një kontroll mjekësor, por nuk ka asgjë serioze dhe do të jetë në lojë ndaj Flamurtarit. Edhe Rroca konsiderohet i riaftësuar plotësisht, duke u aktivizuar pjesërisht si ndaj Vllaznisë në kampionat, edhe ndaj Elbasanit në kupë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *