Emil Forsberg është tashmë një nga yjet e Bundesligës gjermane, duke shkëlqyer me RB Lajpcigun, aq sa këtë verë edhe Milani u mundua ta blinte, pa sukses. Suedezi 25-vjeçar është një lojtar kyç në klubin gjerman dhe për rrugëtimin e tij i ndihet borxhli agjentit të vet Hasan Xhetinkaja.
Në shenjë falënderimi, Forsberg i ka bërë një dhuratë fantastike menaxherit të vet, një Ferrari.
Për gazetën suedeze Aftonbladet, Forsberg shpjegon veprimin e tij: “Xhetinkaja më mori nga Sundsvalli i vogël dhe më ka bërë të famshëm, i detyrohem gjithçka, sepse ka besuar gjithmonë tek unë. Nuk është dhuratë e çuditshme, e ka merituar”.
Xhetinkaja mbeti i tronditur nga dhurata, siç tregon vetë: “Nuk e prisja kurrë. Kam bërë vetëm punën time, pasi në këtë profesion nëse punon mirë dhe ke durim, herët a vonë shpërblehesh. Desha ta refuzoj dhuratën, por Forsberg më kërcënoi se do më linte”.
Ndërkohë, Xhetinkaja ia ka bërë më herët një dhuratë Forsbergut, sepse në verë i siguroi rinovim kontrate deri në 2022, duke e bërë ndër lojtarët më të paguar te Lajpcigu.