Kampionët mund të bëjnë një goditje në merkato, teksa Jasir Asani lakohet se mund të jetë përforcimi më i fundit. Lojtari: Sot në Tiranë për të takuar drejtuesit e Kukësit
Jurgen Zela
Jemi në mes të shtatorit, por ende në Shqipëri mund të flitet për merkato. Ngjan si një ekuacion pa zgjidhje data e fundit të merkatos në vendin tonë, teksa në asnjë moment nuk ka siguri nëse minutat e çuditshme shtesë mund të sjellin ndonjë surprizë për skuadrat elitare. Nuk po flasim vetëm për Kategorinë e Dytë, ku me të drejtë data e fundit të transferimeve është 25 shtatori, kjo për arsye se skuadrat në këtë kategori duhet të kenë në organikë vetëm lojtarë vendas. Kukësi ka një organikë të pasur, megjithatë një elementi cilësor nuk mund t’i thotë jo, edhe pse mbetet për t’u saktësuar mënyra e federimit.
ASANI – Dje “Sport Ekspres” raportoi se mesfushori Jasir Asani ka marrë një ofertë nga Kukësi, por problematika kryesore kishte qenë aspekti financiar, ku kërkesa e lojtarit është konsideruar si tepër e lartë nga kampionët, të cilët e kanë refuzuar paraprakisht. Nuk ka mbaruar asgjë, pasi burime të sigurta raportojnë se palët kanë pasur një kontakt ditën e djeshme dhe marrëveshja është pranë. Edhe pse emri i Asanit lakohej prej ditësh në orbitën e Partizanit, marrëveshja nuk u arrit dhe lojtari është ende pa skuadër. Trajneri Milinkoviç duket se ka dhënë pëlqimin e tij dhe Asani e ka derën e hapur te Kukësi, megjithatë mbetet për t’u parë nëse do të gjendet gjuha e përbashkët. I kontaktuar nga “Sport Ekspres”, lojtari e pranoi që ka kontakte me Kukësin, madje shkoi akoma më tej duke treguar se do të niset drejt Tiranës për ta saktësuar raportin me klubin e Kukësit. “Po, jam kontaktuar nga Kukësi. Kemi diskutuar rreth disa detajeve, por do të nisem drejt Tiranës për të saktësuar gjithçka me drejtuesit”, u shpreh fillimisht 22-vjeçari. I pyetur nëse kishte folur me Kukësin, për mënyrën e federimit, lojtari deklaroi se dhe për diçka të tillë kishte folur, por pa zbuluar asgjë. Mbetet për t’u parë nëse Kukësi dhe Asani do të gjejnë gjuhën e përbashkët, pasi në mes është pretendimi i lartë i menaxherit të lojtarit për taksën e formimit, që e ka paguar ai vetë te skuadra e Vardarit, pasi Asani ende nuk i ka mbushur 23 vjeç, sa është dhe mosha që lojtari mund të largohet pa asnjë detyrim jashtë vendit. Vetë lojtari, në mediat maqedonase ka deklaruar se dhe çështja financiare po merr zgjidhje, ndaj duhet pritur në orët në vijim nëse do të ketë një zyrtarizim.
Emri: Jasir
Mbiemri: Asani
Mosha: 22 vjeç
Pozicioni: Mesfushor
Karriera
Klubi Ndeshje Gola
Vardari 66 17
Shkupi 13 3
Pobeda 2 0