Qetëson braziliani Kale, të rinjtë vijojnë “pezullimin”

Trajneri Milinkoviç merr një lajm të mirë, ndërkohë që janë marrë informacionet e duhura për kundërshtarin. Edhe këtë javë stafi punon me një grup të reduktuar

Jurgen Zela

Elton Kale do të jetë i gatshëm për Kukësin që nga ndeshja e radhës me Laçin. Mesfushori brazilian u pa të çalonte pas ndeshjes me Partizanin, por duket se nuk ka pasur asnjë probleme shqetësues për 29-vjeçarin, i cili ka qenë së bashku me grupin në stërvitje. Stafi teknik kishte planifikuar vetëm një seancë stërvitore pasditen e djeshme në kompleksin “Internacional” në Pezë, teksa grupi nuk ka pasur mungesa. Kjo gjë normalisht që e gëzon stafin teknik, që do të ketë në dispozicion një lojtarë të rëndësishëm për sfidën me Laçin. Kundërshtari i radhës po merr vlerësim maksimal në kampin verilindor, ndërkohë që ky sezon futbollistik i ka dhënë që në fillim mesazhet që nuk ka ndeshje të lehta.

KONTIGJENTI – Pas ndeshjes me Egnatian, Kukësi morri një vendim që katër lojtarët  e rinj që stërviteshin me skuadrën e parë të kalonin te Kukësi B. Edhe pse u duk si një ndëshkim për të bërë shembull, Duraku, Kumanova, Koldashi dhe Joti vijojnë të stërviten ,me Kukësin B. Ende nuk ka një urdhër të dytë për ta dhe për sa kohë do të jenë pjesë e skuadrës së dytë. Kujtojmë që trajneri Milinkoviç deklaroi se kjo lëvizje ishte për t’u krijuar hapësirë lojtarëve të tjerë. E çuditshme deri diku, pasi në stërvitje veç katër portierëve janë vetëm 16 lojtarë.

STUDIMI I KUNDËRSHTARIT – Tekniku i Kukësit, Mlladen Milinkoviç, pak ditë më parë ishte në stadiumin “Selman Stërmasi”, ku ndoqi ndeshjen Partizani-Laçi. Trajneri serb kishte një mundësi të mirë që të studionte të dy kundërshtarët e ardhshëm. Milinkoviç është parë teksa mbante shënimet e tij, si për Partizanin ashtu dhe për Laçin. Pasi kaloi me sukses “demat” tani mbetet për të parë nëse do t’i dalin llogaritë me Laçin. Ndërkohë ai ka kërkuar edhe “DVD” e ndeshjes Partizani-Kukësi, për t’u studiuar problematikat e shfaqura, që gjatë këtyre ditëve do tentojë t’i eliminojë gjatë seancave stërvitore. Siç edhe dihet, kurbinasit janë një kundërshtar që të hap punë dhe në Kukës e dinë mirë diçka të tillë. Edhe vjet kur bardhezinjtë ishin për mbijetesë ua bënë të vështirë kampionëve në “Zeqir Ymeri”. Rivaliteti i këtyre viteve i motivon kundërshtarët, ndaj edhe në klubin verilindor kërkohet përqendrim maksimal për ta kaluar me sukses këtë përballje.

HESHTJA –  Presidenti Safet Gjici ka dhënë urdhër ditën e djeshme që asnjë prej lojtarëve të mos prononcohet për mediat. Ky vendim u është komunikuar edhe medieve, teksa tashmë duhet pritur konferenca për shtyp e trajnerit Mlladen Milinkoviç para ndeshjes. E njëjta situatë ka qenë edhe para ndeshjes me Partizanin, ndaj kjo situatë nuk është aspak një risi. Në klubin verilindor po mundohen ta mbajnë ekipin larg presionit mediatik dhe i gjithë fokusi është te përgatitjet në fushën e blertë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *