Prokuroria e Federatës kërkon nga Gjyqi Sportiv masën prej 2 vite e gjysmë, për bashkëpunim me organizata mafioze…
Dy vite e gjysmë skualifikim për presidentin e Juventusit, Andrea Anjelin, për bashkëpunimin e tij me tifozët ultras bardhezi. Kjo, sipas “Ansa”-s, është masa që ka kërkuar shefi i Prokurorisë së Federatës Italiane të Futbollit, Xhuzepe Pekoraro, në gjyqin sportiv që po zhvillohet në lidhje me çështjen e tifozëve ultras dhe biletave. Një masë kjo që duket si një “rrufe në qiell të hapur” për bardhezinjtë dhe, mbi të gjitha tifozët e tyre. Ndërkohë, përveç dy viteve dhe 6 muaj masë skualifikimi për Andrea Anjelin, prokuroria e Federatës ka kërkuar edhe dy ndeshje me dyer të mbyllura për Juventusin, një ndeshje shtesë pa tifozerinë ultras dhe 300 mijë euro gjobë për përgjegjësi të drejtpërdrejtë të klubit bardhezi.
UEFA DHE FIFA – Por kërkesa e masës nuk përfundon kët, ose të paktën, nuk përfundon vetëm në Itali. Kjo, pasi në kërkesat e kryetarit të Prokurorisë së Federatës, është propozuar edhe një zgjerim të skualifikimit më gjerë sesa në kampionatin vendas, teksa kjo duhet t’i bëhet e pranishme edhe FIFA-s dhe UEFA-s. Përsa u përket personave të tjerë, të përfshirë në këtë procedim, është kërkuar një skualifikim për gjashtë muaj dhe 10 mijë euro gjobë për Françesko Kalvon, që asokohe ishte drejtor komercial i Juventusit. Ndërkohë, një përjashtim për dy vite dhe një gjobë prej 10 mijë eurosh është kërkuar edhe për Alesandro Nikola D’Anxhelon, menaxheri i sigurisë. E njëjta masë është kërkuar edhe për Stefano Merulën, përgjegjësi i zyrës së biletave. Edhe për këta të fundit, është kërkuar që masa të zgjerohet edhe në kompeticionet e UEFA-s dhe FIFA-s. Kjo është kërkesa e parë zyrtare e bërë nga Prokuroria Sportive e Federatës në Itali, edhe pse, presidenti Tavekio, më përpara ishte shprehur se ai nuk do të donte që të baltosej sërish futbolli italian.