Konferenca e parë për shtyp e Nanit, “qershiza mbi tortë” e merkatos së bardhekaltërve këtë verë, që të dielën në drekë do të luajë në “Olimpico” ndaj Milanit. Në fillim fjalën e hapjes e ka marrë drejtori sportiv shqiptar, Igli Tare. “Ajo e Nanit, – ka thënë Tare, ka qenë një operacion shumë i vështirë për kohën, por nuk na ka gjetur të papërgatitur. E dinim se shumë gjëra ishin të lidhura me largimin e Keitas”. Dhe, vetëm më pas fjalën e ka marrë Nani që ka sqaruar edhe arsyet që e kanë bindur të zgjidhte Lacion. “Është një karakteristikë e imja, i afrohem shumë sfidave me motivim të madh. Jam këtu për të ndihmuar skuadrën, në të gjitha mënyrat e mundshme. Sjell eksperiencën time të shkuar, jam shumë i motivuar”.
SHEMBULLI KLOSE – Dikush e krahasoi blerjen e tij me atë të Kloses. “Nuk jam këtu për të bërë krahasime me dikë. Jam këtu për të bërë punën time, për të bërë më të mirën. E di që këtu ka shumë lojtarë të mëdhenj dhe e respektoj historinë e tyre. Nuk ndihem lojtari më i mirë, kam ardhur këtu për të treguar aftësitë e mia, por skuadra duhet të jetë e bashkuar për të shkuar larg”, ka thënë Nani.