Teuta e nis me trofe, fiton Kupën “Paskuçi”

Organizim shembullor në edicionin e parë. Paraqitje e mirë edhe nga Besa e Kavajas. Pritej ndryshe, por ishte zhgënjyese kampionia e Kosovës, Trepçe ‘89

Nga Durrësi FATMIR EFICA

Ka qenë kryesia e “K.F. Teuta” që ka vendosur thuajse mbi tri javë më parë organizimin për herë të parë të “Kupës Paskuçi”, në stadiumin “Niko Dovana”. Janë përzgjedhur veçmas Teutës, me cilësinë e skuadrës organizatore edhe Besa e Kavajës me aq shumë tradita dhe kampionia në fuqi e Kosovës, Trepçe ’89 e Mitrovicës. Atmosfera që nga momenti i publikimit të shortit të ndeshjeve e deri në ceremoninë përmbyllëse të dhurimit të kupës ka qenë fantastike. Ndonëse nuk ishte shumë i madh numri i tifozëve, ekipet e kishin vlerësuar seriozisht këtë edicion të parë të kësaj veprimtarie mbresëlënëse.
Garuese tre skuadra – Teuta që është shpallur një herë kampione e Shqipërisë më 1994-95 dhe tre herë fituese e Kupës së Shqipërisë më 1995, 2000 e 2005 si dhe ka garuar edhe në kompeticionet europiane ishte në epiqendër të kësaj Kupe të parë. Besa e Kavajës nga ana e saj ka fituar dy herë Kupën e Shqipërisë më 2007 e 2010 dhe një herë Superkupën po më 2010. Kavajasit janë skuadra e parë në Shqipëri që kanë kaluar më 1972 në turin e dytë të kupës së kupave. Janë nënkampionë të Ballkanit më 1971, etj. Ndërkohë, kampionia aktuale e Kosovës që erdhi në këtë aktivitet pasi ka startuar kampionati i ri i Kosovës, dhe në ndeshjen e parë ka fituar në shtëpi ndaj Flamurtarit të Prishtinës e në të dytën është mundur në transfertë 0-1 nga Liria e Prizrenit që drejtohet nga trajneri Bledi Shkëmbi. Trepçe ’89 ka fituar kampionatin e sezonit të shkuar në Kosovë dhe është kampione për herë të parë. Ka fituar një herë kupën e Kosovës më 2011 dhe gjithashtu edhe dy herë superkupën e Kosovës më 2012 e 2017. Garuan kështu tre skuadra që kanë arritur më parë të koleksionojnë trofe të rëndësishëm. Një element që e bëri edhe më serioz këtë kompeticion të parë.

Besa thyen Trepçën ‘89 me penallti
BESA – TREPÇA ‘89 0-0 (3-2 me 11-metërsha)
BESA: Kaloshi, Perja, Er. Hoxha, Kullolli, Bushi, Shabani, Mihani, Isufi, (27’ Cangu), Peqini, Dërvishi, Biba. Trajner: G. Kaja.
TREPÇE 89’: Çitaku, Shala (Idrizi 36’), Pasona, Lladrovci, Mazrekaj, Mustafa, Nimani (Chibueze 36’), Arb.Muja, Hyseni (Broja 36’), Ard. Muja, Manaj (Islami 36’). Trajner: Z. Ramadani
GJYQTARTË: K. Shahini, M. Sadikaj, A. Demiraku (Durrës).
KARTON I VERDHË: / Pasona 40’
Në 10’ e para u duke se kampionët e Kosovës do ta mundnin me lehtësi Besën e Kategorisë së Parë, ndonëse është një ekip me shumë tradita në Shqipëri. Portieri Kaloshi shpëtoi rastin ideal të Ardian Mujës në 3’ dhe nja aksion tjetër të Hysenit në 9’. Pas këtyre dy momenteve, kavajasit janë organizuar më mirë dhe madje e kanë shpërngulur lojën e tyre drejt sulmit. Kaloshi në 30’ ishte shumë afër golit të avantazhit për Besën, ndërsa në 40’ pengimin e Peqinit në zonë vetëm arbitri nuk e pa. Kavajasit e kontestuan lehtë këtë rast që mund t’i kishte çuar te fitorja pa pasur nevojën e kalimit të gjuajtjet e 11-metërshave. Portieri Ariol Kaloshi ka treguar një formë shumë të mirë dhe Besa fitoi 3-2. Finalizues të 11-metërshave për kavajasit Kullolli, Erand Hoxha dhe Mihani, tre lojtar kavajas që nuk gabuan. Ndërsa dy penalltitë e tjera u shpërdoruan nga kapiteni Perja dhe Isufi. Për miqtë nga Mitrovica shënuan Broja dhe Ard.Muja dhe i humbën gjuajtjet Pasona, Lladrovci dhe Mustafa. Besa me meritë arriti të kalojë në finale.

Teuta e papërmbajtshme, fiton me goleadë
TEUTA – TREPÇE ’89 4-1
Shënues: Dosti 4’, Osmene 10’, 42’, Lena 18’(11-m)
TEUTA: Moçka, Sykaj (37’ Shkalla), Dosti (34’ Lajthia), F. Beqja, Çyrbja, Abe, Dediç, Osmene, Lena, Hila, Hrkaç. Trajner: G. Magani.
TREPÇE ’89: Çitaku, Pasona, Mazrekaj, Mustafa, Islami, Broja, Idrizi, Chibueze, Asare, Oto Xhon, Ard.Muja. Trajner: Z. Ramadani.
GYQTARË: K. Kola, R. Dobruna, A. Koçiaj (Tiranë)
Shpërthen Teuta me lojë e gola. “Pokeri” i durrsakëve u bë më i thjeshtë edhe nga paraqitja zhgënjyese e Trepçe ’89. Vetëm pas pësimit të golit të tretë, miqtë nga Kosova nisën të kujtohen për sulmin e tyre modest. Dosti me një gjuajtje fantastike diagonale nga mbi 35-m, e më pas Osmene dyfishuan shifrat brenda një kohe të shkurtër. Ndërsa me 11-metërsh, Lena e çon rezultatin në 3-0. Reagimi për të ashtuquajturin “gol të nderit” në të 39’ erdhi nga goli i Oto Xhonit, ndërsa nuk mbaron këtu pas Osmene ka menduar të katërfishojë për durrsakët që u treguan të papërmbajtshëm duke fituar me goleadë. Përgatitja e lartë fizike e tekniko – taktike ishte e tillë nga Teuta që vuri në vështirësi kampionët e Trepçe ’89.

Finalja u besohet talenteve të rinj
TEUTA – BESA 0-0
TEUTA: Moçka, Ar. Beqaj, Shkalla (32’Hrkaç), Shehi, Lika, Vila (Çyrbja 39’), Shehaj, Bilali, Cmajcanin (36’ Dosti), Lajthia (37’ Lena), Latif (42’ Dediç). Trajner: G. Magani.
BESA: Kaloshi, Perja (30’ Nuri), Kullolli, Brahimaj, Mara (45’ Biba), Oshafi, Cara, Mihani, E. Kaloshi, Ed. Hoxha, Dërvishi. Trajner: G. Kaja.
GJYQTARË: K. Kola, R. Dobruna, A. Koçiaj (Tiranë)
Për të dalë fituese e kupës, Teutës i vlente dhe barazimi. Në fakt durrsakët, edhe pse përdorën “skalionin” e tyre të rezervave, kërkuan që ndeshjen ta fitonin, por disa raste të tyre i zmbrapsi me sukses mbrojtja e portieri kavajas. Kjo finale iu besua nga të dyja skuadrat lojtarëve të rinj të talentuar, disa prej të cilëve treguan se vlejnë vërtetë shumë. Besa u përgjigj me anë të disa sulmeve të rrezikshme, por as Cara e as Dërvishi nuk ditën të finalizojnë. Qarkullimi i mirë i topit ishte një tjetër element që e zbukuroi këtë finale ku nuk mungoi teknika e fantazia nga të dyja ekipet, por edhe nga lojtarë të veçantë. U pa në fushë një grintë e admirueshme nga futbollistët e të dyja skuadrave. Durrsakët e kavajasit dhanë një “leksion” se “fidanishtet” e tyre të përgatitjes së talenteve po funksionojnë mjaft mirë. Dhe të besosh te ky brez është një tjetër vlerë e shtuar e punës së trajnerëve dhe stafeve të tyre.

RENDITJA PËRFUNDIMTARE 
TEUTA DURRËS   4 pikë
BESA KAVAJE      2
TREPÇE ’89          1

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *