Humbja ndaj Ternanës ka ngritur shumë pikëpyetje dhe sot ndaj bardhezinjve toskanë pritet paraqitje ndryshe, përtej rezultatit
Eraldo Harlicaj
Dy javë, stërvitje intensive paradite e pasdite, ndërsa tani ka ardhur koha që të shihet diçka e mirë edhe në fushë. Nga Kasha, ku Partizani po kryen fazën përgatitore në prag të sezonit të ri, informacioni është se stërvitja e Partizanit është me intensitet të jashëtzakonshëm, me dy seanca tepër të lodhshme dhe të gjata çdo ditë, ndaj kjo është një nga arsyet e paraqitjes së zbehtë kundër Ternanës. Në atë miqësore Partizani thuajse nuk vrapoi fare, duke pritur qetësisht kalimin e minutave dhe duke mos reaguar as kur Ternana filloi të shënonte me lehtësi, me 3 gola në harkun e pak minutave. Lodhja dhe këmbët e ngrira janë një justifikim, por sot përballë Sienës duhet treguar diçka më shumë.
RIVALI – Siena një herë e një kohë shkëlqente edhe në Serinë A dhe aty ka luajtur edhe një njohje e vjetër e përbashkët, Erjon Bogdani, i cili e nisi karrierën te Partizani, por kulmin e vet e pati në Itali, ku luajti dhe shënoi edhe me toskanët. Megjithatë, dekada e fundit ka qenë e zezë për Sienën, me falimentim, zbritje te diletantët, ndryshim emri në Robur Siena dhe një ngjitje graduale, e lodhshme dhe shumë e ndërlikuar. Tashmë Siena është stabilizuar në Lega Pro, divizioni i tretë italian, ndërsa për më lart është shumë e vështirë, duhen financa të fuqishme dhe në Siena nuk kanë ndërmend më të shpenzojnë miliona për të ngritur klubin aty ku ishte para Calciopoli-t të famshëm.
JULIANO – Si çdo trajner italian, diplomacinë e zotëron në mënyrë perfekte dhe pas humbjes ndaj Ternanës trajneri i të kuqve u shpreh i kënaqur nga ndeshja dhe nga paraqitja e skuadrës së tij. Evidentoi faktin që Ternana nis kampionatin këtë fundjavë, ndërsa Partizani e nis më 9 shtator, ndaj nuk priste shumë në aspektin fizik. Ndërkaq, sot është përballë Siena, që ka luajtur dy ndeshje kupe në Lega Pro dhe ka barazuar kundër Gavorranos e Pratos, si dhe e fillon kampionatin të dielën. Natyrisht, nuk do të jetë një Siena e përqendruar 100% dhe me formacion “lufte”, ndaj sot Partizani ka një shans ideal për një fitore dhe mundësisht lojë të bukur. Është e vërtetë që fizikisht Partizani është pas, por kanë mbetur vetëm 2 javë nga fillimi i Superiores dhe tashmë skuadrat duhet të jenë thuajse gati. Kundër Sienës do të luhet në në stadiumin “Artemio Franki“ të Sienës, në orën 18:00.